Nga Judith Goers, BILD
Pallati luksoz i Putinit në Gelendzhik, në bregun e Detit të Zi, kushtoi rreth 100 miliardë rubla (1.1 miliardë euro) – dhe megjithatë ishte më i lirë se sa mendohej! Sipas hetimeve të ekipit të opozitarit të vrarë, Aleksei Navalny, pas përfundimit mbetën rreth 6.5 miliardë rubla (71.6 milionë euro), që dyshohet se përfunduan direkt në xhepat e gjimnastes, Alina Kabaeva (42 vjeç) – e dashura e Putinit për një kohë të gjatë. Fillimisht këtë e raportoi portali i lajmeve rus në mërgim, Meduza.
Planifikimi dhe ndërtimi i mega-projektit zgjatën thuajse 20 vjet. Sipas ekipit të Navalny-t, pallati është projekti më i madh privat ndërtimor në botë. Pronë shtrihet mbi rreth 7.000 hektarë – 39 herë më shumë se Monako. Në kompleks përfshihen, ndër të tjera, një arenë e madhe nën tokë për hokej, një kinema, një dhomë bilardoja, dy restorante dhe një sallë birre.
Që në vitin 2021, ekipi i Navalnyt publikoi foto të projektit gjigant në Gelendzhik.
Veçanërisht e shtrenjtë është një arenë hokeji nën tokë në kompleksin e Gelendzhikut.
Sipas hetimeve, për Putinin madje u gërmua një tunel në shkëmb – me ashensor që shkon deri te deti.
Pas përfundimit të punimeve në vitin 2023, kompania Investment Solutions ende kishte një bilanc prej 6.5 miliardë rubla. Tre miliardë rubla (33 milionë euro) u dhuruan direkt për fondacionin bamirës të Kabaevas. Qëllimi i fondacionit: aktualisht i paqartë.
Megjithëse fondacioni pretendon se mbështet sportistët, festivali i gjimnastikës ritmike Alina dhe rindërtimi i një kishe në Krime sipas ekipit të Navalnyt nuk konsumojnë miliarda. Në vend të kësaj, thuhet se Kabaeva ka investuar pjesën më të madhe të shumës dhe tani mbledh interesat.
Pjesa tjetër e shumës, rreth 3.5 miliardë rubla (38 milionë euro), dyshohet se shkoi te një tjetër fondacion i Kabaevas i quajtur Himni i Qiellit. Ai organizon një turne gjimnastikë ritmike. Paratë e fondacionit përdoren gjithashtu për një kamp trajnimi në Valdai – vetëm 1.500 metra nga rezidenca e dytë luksoze e Putinit. Qëllimi i këtyre kampeve ishte “vetëm për të argëtuar fëmijët e Putinit dhe Kabaevas, që praktikisht jetojnë në rezidencë, përmes kontaktit me bashkëmoshatarët e tyre,” shpjegoi Georgi Alburow nga ekipi i Navalny-t. Ai është i sigurt se miqtë e Putinit në Investment Solutions transferuan para tek e dashura e tij – “për argëtim, shoping dhe hobi nën maskën e bamirësisë”.
Por kreu i Kremlinit ndoshta nuk la pa marrë dhe vetë diçka. Sipas hetimeve, rreth 30 milionë rubla (330.000 euro) shkuan te një prodhues rus i orëve luksoze. Putin zotëron të paktën dy modele nga kompania.
© SYRI.net