Tregjet e aksioneve në SHBA janë goditur nga një valë e re shqetësimesh lidhur me inteligjencën artificiale. Këtë herë, shkaku është një paralajmërim viral plotësisht spekulativ mbi ndikimin që kjo teknologji mund të ketë në ekonominë më të madhe në botë.
Paralajmërimi vjen nga Citrini Research, një firmë amerikane relativisht pak e njohur që analizon “megatrendet” transformuese. Në një postim në Substack, të cilin e cilësoi si “një skenar, jo një parashikim”, firma paraqiti një të ardhme të afërt ku sistemet autonome të inteligjencës artificiale të ashtuquajturit agjentë përmbysin ekonominë amerikane, nga tregu i punës te tregjet financiare dhe kreditë hipotekare.
Skenari i Citrini-t nis nga e tashmja dhe shtrihet deri në qershor 2028. Ai parashikon që papunësia në SHBA të kalojë 10% dhe që një lëvizje e quajtur “Occupy Silicon Valley” të ngrejë kampe proteste përpara zyrave të OpenAI dhe Anthropic. Sipas këtij vizioni, përdorimi masiv i agjentëve të IA-së do të shkatërronte industrinë e softuerëve dhe do të përhapej më tej, duke goditur tregun e kredisë private dhe atë të hipotekave, e duke çuar ekonominë në një spirale të pakontrolluar rënieje.
Edhe pse thellësisht spekulativ, skenari ka shqetësuar investitorët. Indeksi S&P 500 ra me mbi 1% të hënën, ndërsa komponenti i softuerit zbriti në nivelin më të ulët që nga njoftimi i tarifave të Trump në prill. Një pjesë e luhatjeve lidhet me tarifat e fundit, por aksionet e Uber, American Express, Mastercard dhe DoorDash – kompani të përmendura në raport – ranë mes 4% dhe 6%.
Neil Wilson, analist në Saxo Capital Markets, e quajti raportin “një lloj pornografie të fundit të botës, që gjithmonë tërheq lexuesit dhe komentuesit e tregut”. Sipas tij, skenari nuk ka gjasa të realizohet siç përshkruhet, por reflekton një alarm më të gjerë: ekonomia sot nuk i ngjan më asaj të vetëm pak viteve më parë.
1. Agjentët e IA-së eliminojnë “fërkimet” në ekonomi
Skenari nis me një përshpejtim të madh të aftësive të agjentëve të IA-së – diçka që, sipas autorëve, tashmë ka filluar. Përmenden mjete si Claude Code i Anthropic dhe Codex i OpenAI, të cilat kanë impresionuar përdoruesit muajt e fundit.
Sipas Citrini-t, këta agjentë do të dëmtonin kompanitë e softuerëve si shërbim (SaaS), si Monday.com, Zapier dhe Asana, duke u ofruar bizneseve mënyra më të lira për të menaxhuar të dhënat dhe proceset e brendshme. Kjo do t’i detyronte kompani si Oracle, që mbështeten në kontrata afatgjata, të futeshin në një “garë drejt fundit” për çmimet.
Në të njëjtën kohë, agjentët personalë të IA-së do të kryenin transaksione në emër të konsumatorëve, duke anashkaluar ndërmjetës si agjencitë e udhëtimit apo të pasurive të paluajtshme. Në vend të DoorDash apo Uber, përdoruesit do të krijonin aplikacionet e tyre, duke fragmentuar tregun. Transaksionet do të zhvendoseshin drejt kriptomonedhave për shkak të kostove më të ulëta, duke goditur ofruesit tradicionalë të pagesave si Visa dhe Mastercard.
Sipas raportit, besnikëria ndaj markave dhe aplikacioneve humbet kuptimin në një botë ku vendimet i merr një makinë që optimizon çdo gjë.
2. Papunësi masive e punonjësve të jakave të bardha
Ndryshe nga revolucionet e mëparshme teknologjike, ku vende pune zhdukeshin por krijoheshin të reja, Citrini argumenton se IA nuk ndjek të njëjtin model.
Sipas skenarit, IA arrin të kryejë edhe detyrat e menaxhimit të saj, ndaj punonjësit e zhvendosur – për shembull programuesit – nuk mund të kalojnë thjesht në role të reja brenda të njëjtit sektor. Shumë prej tyre do të detyroheshin të kalonin në punë të përkohshme dhe më pak të paguara në “ekonominë e gig-eve”, duke ushtruar presion mbi pagat dhe duke ulur shpenzimet konsumatore.
Kompanitë, përballë kërkesës së dobët, do të investonin edhe më shumë në IA në vend të punonjësve – një cikël vetëpërforcues negativ.
3. Përhapja e krizës në ekonominë e gjerë
Skenari parashikon që kriza të përhapet përmes dy kanaleve: tregut të kredisë private dhe hipotekave.
Shumë huadhënës privatë kanë financuar kompani softuerësh mbi bazën e të ardhurave të pritshme afatgjata. Nëse këto të ardhura bien për shkak të IA-së, kreditë mund të rezultojnë të paqëndrueshme. Përmendet rasti i privatizimit të Zendesk në vitin 2022 nga Hellman & Friedman dhe Permira, një marrëveshje e bazuar në parashikime optimiste për të ardhurat.
Nëse këto pritshmëri shemben, mund të ndodhë një valë mospagesash në kreditë private. Paralelisht, papunësia e lartë do të sillte pamundësi për të paguar kreditë hipotekare, duke shkaktuar krizë në tregun e banesave.
4. Spirale rënieje
Formohen dy spirale negative:
E para lidhet me pushimet nga puna, rënien e kërkesës dhe investimet e mëtejshme në IA.
E dyta lidhet me shtrëngimin e tregjeve financiare për shkak të krizës së kredisë dhe hipotekave.
Sipas Citrini-t, kjo krizë nuk do të ishte rezultat i kushteve të shtrënguara financiare që bankat qendrore mund t’i lehtësojnë, por i një transformimi strukturor që e bën inteligjencën njerëzore “më pak të rrallë dhe më pak të vlefshme”.
Rezultati i parashikuar: një përplasje e madhe në fund të vitit 2027, me humbje deri në 57% të indeksit S&P 500.
5. “Occupy Silicon Valley” dhe PBB-ja fantazmë
Sipas skenarit, qeveritë do ta kishin të vështirë të përballonin krizën. Të ardhurat tatimore bien ndërsa nevoja për ndihmë sociale rritet.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha të IA-së do të vazhdonin të gjeneronin fitime të mëdha. Kjo krijon atë që Citrini e quan “PBB fantazmë” – prodhim që figuron në statistika, por nuk përkthehet në mirëqenie reale për shumicën e popullsisë.
Në fund, skenari imagjinon trazira sociale dhe protesta të gjera kundër kompanive të inteligjencës artificiale.
Megjithatë, shumë ekspertë mbeten skeptikë. Stephen Innes nga SPI Asset Management thekson se mjetet aktuale të IA-së nuk janë ende në atë nivel. Ai vëren me ironi se tregjet kanë përballuar luftëra, inflacion dhe kriza bankare, por një opinion i përhapur në Substack mjafton për t’i lëkundur ato./TheGuardian
© SYRI.net