Kreu i Komandës së Përbashkët Amerikane përgjegjëse për rajonin e Amerikës Latine dhe Karaibeve, SOUTHCOM vizitoi Venezuelën të mërkurën. Vizita e Gjeneralit Donovan vjen pas arrestimit të ish-presidentit venezuelian, Nicolas Maduro në një operacion ushtarak amerikan më 3 janar.
“Një ditë tjetër historike, pasi mirëpritëm komandantin e SOUTHCOM, Gjeneralin Donovan, në Venezuelë”, tha kreu i misionit diplomatik amerikan, i Ngarkuari me Punë Laura Dogu, nëpërmjet X.
Ai shtoi se oficeri i lartë amerikan u takua në Karakas me autoritetet për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për të çuar përpara qëllimin e një Venezuele të lidhur me Shtetet e Bashkuara.
“Gjenerali Francis L. Donovan përfundoi sot vizitën e tij në Venezuelë (…) Shtetet e Bashkuara riafirmojnë angazhimin e tyre për një Venezuelë të lirë, të sigurt dhe të begatë, për të mirën e popullit venezuelian, Shteteve të Bashkuara dhe Hemisferës Perëndimore”, tha ambasada amerikane në Karakas.
Gjenerali Donovan u emërua në krye të SOUTHCOM nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në dhjetor, disa ditë para bombardimeve dhe bastisjes së forcave speciale për të kapur Maduron.
Pasi mori pushtetin, presidentja në detyrë Delcy Rodriguez, nën presionin amerikan promovoi pjesëmarrjen e kompanive të sektorit privat në shfrytëzimin e fushave të naftës së Venezuelës.
Ajo gjithashtu propozoi një ligj amnistie, i cili aktualisht është në diskutim në parlament, dhe filloi një proces të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin, të cilat ishin ndërprerë në vitin 2019.
© SYRI.net