Amerikani i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, dhe ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, bashkëpunuan për më shumë se një dekadë për të përfituar nga paqëndrueshmëria në Nigeri, duke tregtuar teknologjinë e mbikëqyrjes së përsosur në territorin e pushtuar palestinez për të fituar akses në sektorët fitimprurës të naftës dhe logjistikës të vendit të Afrikës Perëndimore, sipas një hetimi nga Drop Site News (DSN).
Një mori emailesh të publikuara fillimisht nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, sipas hetimit të DSN-së, përshkruajnë se si financieri i ndjerë dhe politikani izraelit përdorën rebelimin e Boko Haram për t'u ofruar zyrtarëve nigerianë zgjidhje sigurie "të provuara në terren".
Korrespondenca tregon se këto marrëveshje sigurie, u përdorën shpesh si një portë hyrëse për interesa më të gjera tregtare, duke përfshirë projektet e infrastrukturës për DP World dhe investimet në sektorin e energjisë.
Zbulimet vijnë disa ditë pasi Sulltan Ahmed bin Sulayem dha dorëheqjen si kryetar i gjigantit të logjistikës së Emirateve DP World më 13 shkurt, mes pasojave të zbulimit të lidhjeve të tij të ngushta me Epstein.
Sipas dokumenteve, Epstein dhe Barak e panë dhunën në rritje në Afrikën Perëndimore jo si një krizë humanitare, por si një mundësi biznesi. Në një email të vitit 2014, në lidhje me trazirat civile në Siri, Libi dhe Somali, Epstein i shkroi Barakut: "A nuk është kjo perfekte për ty?".
Baraku u përgjigj: “Ke të drejtë në një farë mënyre. Por nuk është e thjeshtë ta transformosh atë në një fluks parash.”
'E provuar në terren' tek palestinezët
Dosjet detajojnë se si firmat e inteligjencës izraelite e tregtuan teknologjinë e tyre në Nigeri duke përdorur eufemizma të tilla si "e provuar në terren", një referencë për sistemet e vendosura nga ushtria izraelite kundër palestinezëve nën pushtim.
Në vitin 2015, Barak dhe një partner biznesi investuan 15 milionë dollarë në FST Biometrics, një firmë e themeluar nga ish-kreu i inteligjencës ushtarake izraelite, Aharon Ze'evi Farkash. Teknologjia kryesore e kompanisë, një sistem biometrik i njohur si Basel, u prototipua fillimisht në pikën kufitare Beit Hanoon (Erez) midis Izraelit dhe Rripit të Gazës së rrethuar për të kontrolluar lëvizjen e punëtorëve palestinezë.
Ndërsa ushtria nigeriane luftonte kundër Boko Haramit, Barak lehtësoi shitjen e pajisjeve të ngjashme të mbikëqyrjes biometrike Universitetit Babcock, një institucion i krishterë në Nigeri. Projekti u hartua si një masë kundër terrorizmit, me një njoftim për shtyp në atë kohë që mburrej se teknologjia do të "filtronte të gjithë personat e padëshiruar".
Emailet sugjerojnë se kjo pikëmbështetje fillestare, i lejoi Barakut të institucionalizonte ekspertizën kibernetike izraelite brenda shtetit nigerian. Deri në vitin 2020, Banka Botërore kishte lidhur me Drejtorinë Kombëtare Kibernetike të Izraelit dhe një startup të bashkëthemeluar nga Barak, për të formësuar infrastrukturën kombëtare kibernetike të Nigerisë.
Burimet dhe logjistika
Dokumentet tregojnë se bashkëpunimi për sigurinë ishte shpesh një pretekst për të aksesuar pasurinë e madhe të burimeve të Nigerisë. Epstein lehtësoi bisedimet e nivelit të lartë për DP World, me qëllim sigurimin e pronësisë së porteve në Lagos dhe Badagry.
Në verën e vitit 2018, Epstein ndërmjetësoi diskutimet midis Jide Zeitlin, atëherë kryetare e fondit sovran të investimeve të Nigerisë, dhe bin Sulayem. Dokumentet tregojnë se Epstein përpiqet të anashkalojë sanksionet e SHBA-së mbi figurat e përfshira në sektorin e minierave, për të lehtësuar këto marrëveshje.
“Shpresoj që qëndrimi i mikut tuaj në Tel Aviv… të ketë qenë më efektiv sesa përpjekjet e tij në kontinentin afrikan”, i shkroi Zeitlin - Epsteinit në shtator 2018, duke iu referuar normalizimit diplomatik që Epstein dhe bin Sulayem po kultivonin në heshtje midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, vite para Marrëveshjeve të Abrahamit.
'Miqtë për Izraelin'
Korrespondenca nxjerr në pah aksesin e madh që Epstein dhe Barak siguruan brenda qeverisë nigeriane. Në vitin 2013, Barak mori pjesë në një konferencë për sigurinë kibernetike në Abuja, të cilën organizatorët e përshkruan privatisht si një mbulesë për të organizuar takime me presidentin e atëhershëm Goodluck Jonathan.
“Darka është një mënyrë tjetër e shkëlqyer… për t’u takuar me Miq të mirë të Izraelit dhe për të bërë miq të rinj edhe për Izraelin”, i shkroi organizatori i eventit Barakut.
Pas këtyre takimeve, kontraktori izraelit i mbrojtjes Elbit Systems, vazhdoi me një projekt të diskutueshëm mbikëqyrjeje në internet në Nigeri, pavarësisht kundërshtimit nga legjislatura e vendit.
Dokumentet zbulojnë më tej se Epstein e këshilloi Barakun se si t’i shndërronte këto marrëdhënie sigurie në përfitime personale. Kur Baraku ndau detajet financiare të një marrëveshjeje të mundshme nafte, Epstein u përgjigj me një këshillë të ashpër: “Të thashë në telefon, përpara se t’i dërgoje ose të pyesje dikë për këtë, duhet të bësh vetë detyrat e shtëpisë.”
Lidhjet midis Epstein dhe Izraelit, janë vënë në qendër të vëmendjes pas publikimit të miliona dokumenteve.
Dokumentet kanë zbuluar më shumë detaje mbi ndërveprimet e Epstein me anëtarë të elitës globale, përfshirë Barakun. Por ato gjithashtu dokumentojnë financimin e tij të grupeve izraelite, përfshirë Miqtë e ushtrisë izraelite dhe organizatën e kolonëve Fondi Kombëtar Hebraik, si dhe lidhjet e tij me anëtarët e shërbimeve të inteligjencës jashtë shtetit të Izraelit, Mossadit.
Barak, i cili udhëhoqi Izraelin nga viti 1999 deri në vitin 2001, ka shprehur keqardhje për marrëdhënien e tij të gjatë me Epstein. Megjithatë, pavarësisht se Epstein është dënuar për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion në vitin 2008 dhe ka kaluar rreth një vit në burg gjatë marrëdhënies së tyre, Barak, duke mbajtur një marrëdhënie të ngushtë personale dhe biznesi, pretendoi se nuk ishte në dijeni të krimeve të Epstein, derisa u hap një hetim më i gjerë ndaj tij në vitin 2019./ Al Jazeera.
© SYRI.net