Nga Alba Kepi
Parlamenti italian miratoi sot pjesëmarrjen e Italisë në Bordin e Paqes me statusin e vendit vëzhgues, pas një debati të gjatë dhe të tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës.
Vendimi erdhi pas raportimit në sallë të ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit Antonio Tajani, i cili mbrojti qëndrimin e qeverisë duke theksuar se Italia nuk do të jetë anëtare me të drejta të plota, por vetëm pjesëmarrëse në tryezën e diskutimeve.
Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni argumentoi se pjesëmarrja si vëzhgues i lejon Italisë të jetë e pranishme në diskutimet ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, pa hyrë në angazhime që mund të bien ndesh me Kushtetutën italiane.
Sipas Tajanit, mungesa e Italisë në këtë forum do të nënkuptonte margjinalizim diplomatik, ndërsa statusi i vëzhguesit garanton praninë politike pa detyrime të drejtpërdrejta operative.
Forcat opozitare votuan kundër, duke e cilësuar iniciativën të paqartë në aspektin juridik dhe politik. Sipas tyre, ekziston rreziku që ky organizëm të dobësojë rolin tradicional të organizmave ndërkombëtarë dhe të krijojë konfuzion në diplomacinë shumëpalëshe.
Me miratimin parlamentar, Italia do të marrë pjesë në mbledhjen e parë të Bordit që pritet të mbahet në Uashington këtë javë. Delegacioni italian do të ketë rol vëzhgues, pa të drejtë vote, por me mundësi ndërhyrjeje në diskutime.
Tajani informoi se në takimin e 19 shkurtit nę Washington do të marrë pjesë edhe qeveria e Qipros, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, si dhe përfaqësuesi special për Lindjen e Mesme.
Sipas tij do të jenë të pranishme edhe vende të tjera si Rumania, Sllovakia, Kroacia, Greqia dhe Austria, si dhe vende jashtë BE-së si Shqipëria, Argjentina, Kosova, Pakistani dhe Paraguai.
© SYRI.net