Analiza shokuese: Putini mund ta mposhtë NATO-n me vetëm 15 mijë ushtarë

Analiza shokuese: Putini mund ta mposhtë NATO-n me vetëm 15 mijë ushtarë

10:01, 13/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Filipp Piatov, BILD

A do të ishte Rusia në gjendje që ta sulmonte NATO-n që këtë vit dhe të arrinte një fitore? Një simulim i një sulmi, i zhvilluar nga ekspertë, ka arritur në një përfundim shqetësues dhe ka shkaktuar reagime edhe në SHBA, si dhe pritet të nxisë diskutime në Konferencën e Sigurisë në Mynih që nis të premten: Me vetëm 15.000 ushtarë, rusët mund ta fusin NATO-n në një krizë ekzistenciale.

Simulimi i detajuar u realizua nga gazeta WELT në bashkëpunim me “German Wargaming Center” të Universitetit të Bundeswehrit në Hamburg. Disa ekspertë dhe politikanë të njohur morën rolet e Rusisë, disa vendeve të BE-së – përfshirë Gjermaninë – dhe NATO-s, duke e luajtur hap pas hapi një përshkallëzim të mundshëm. Edhe gazeta amerikane “Wall Street Journal” raportoi për këtë.

Eksperti ushtarak austriak Franz-Stefan Gady mori rolin e shefit të shtabit të përgjithshëm rus në lojën e luftës dhe hartoi planet e sulmit. Në podcastin e zëvendëskryeredaktorit të BILD, Paul Ronzheimer, Gady shpjegon se si një forcë e vogël ruse mund ta nxjerrë jashtë loje aleancën ushtarake perëndimore. Ajo që shqetëson më shumë: lufta fiktive zhvillohet që këtë vit.

Putini shpik një pretekst

“Në skenar parashihej një armëpushim në verën e vitit 2026 dhe Rusia kishte disa muaj kohë për të rifreskuar, trajnuar dhe zhvendosur trupat e saj”. Armëpushimi në Ukrainë është i brishtë, por Rusia nuk do të kishte më nevojë për të gjitha trupat në vijën e frontit.

Një pjesë tjetër e skenarit: Kremlini shpik një arsye – një krizë humanitare në enklavën ruse të Kaliningradit. Për të krijuar një korridor të pretenduar humanitar, trupat ruse hyjnë në Lituani dhe pushtojnë qytetin strategjik Marijampolė.

Dhe Perëndimi? SHBA-ja nuk e klasifikon menjëherë situatën si rast të qartë të nenit të mbrojtjes kolektive të NATO-s. Edhe Gjermania heziton. Polonia mobilizon forcat e saj, por nuk ndërhyn ushtarakisht. Dronë dhe mina ruse bllokojnë akset kryesore të transportit, duke penguar ndërhyrjen e trupave të NATO-s. Rezultati: Me vetëm disa mijëra ushtarë, Rusia e paralizon NATO-n dhe pushton një pjesë të Baltikut.

NATO heziton në vend që të reagojë

Sipas Gady-t, për të arritur objektivat ushtarake në Baltik, Rusia nuk ka domosdoshmërisht nevojë të pushtojë Lituaninë, Letoninë apo Estoninë. Ajo mund të vendosë të ashtuquajturin “kontroll zjarri” nga Bjellorusia dhe Kaliningradi – pra të mbajë nën kërcënim me raketa, artileri dhe dronë pozicionet strategjike kryesore, duke e penguar kundërshtarin të ndërhyjë. Për këtë, Rusia në Baltik “nuk ka nevojë për asnjë ushtar”.

Problemi kryesor për Perëndimin, sipas tij, nuk janë kapacitetet ushtarake të Rusisë, por reagimi i saj. Në skenar, amerikanët nuk janë të gatshëm në 48 orët e para të ndërhyjnë ushtarakisht për të mbrojtur territorin e NATO-s. Presioni për t’u ardhur në ndihmë vendeve baltike bie mbi Evropën. Në simulim, as Gjermania dhe as Polonia nuk vendosin ta mbështesin ushtarakisht Lituaninë.

“Qëllimi i Rusisë në Baltik është diskreditimi i NATO-s”

Rusia i vë Berlinin dhe Varshavën para një dileme: “A doni vërtet të rrezikoni trupat tuaja dhe humbje të mëdha për të mbrojtur Baltikun?” Sipas simulimit, mbetet pyetja nëse Gjermania do të kishte vullnetin dhe guximin për ta mbrojtur Baltikun – një vendim jashtëzakonisht i vështirë për udhëheqjen gjermane.

Pasojat për NATO-n dhe BE-në do të ishin shkatërruese. Sipas Gady-t, qëllimi i mundshëm i Rusisë do të ishte diskreditimi i NATO-s si aleancë dhe dobësimi i Bashkimit Evropian, duke treguar në mënyrë të besueshme se NATO dhe vendet e BE-së nuk mund të bëjnë shumë nëse Rusia thjesht e shkëput Baltikun nga pjesa tjetër e Evropës.

Mbetet për t’u shpresuar që edhe ushtritë perëndimore t’i zhvillojnë simulime të tilla – dhe të jenë të përgatitura për çdo skenar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco