Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) rekomandoi sot që linjat ajrore të Bashkimit Evropian (BE) të shmangin hapësirën ajrore iraniane deri më 31 mars, duke zgjatur një paralajmërim të mëparshëm për shkak të asaj që e quajti një rrezik në rritje për sigurinë e fluturimeve civile.
“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një game të gjerë armësh dhe sistemesh të mbrojtjes ajrore, i kombinuar me reagimet e paparashikueshme të shteteve, krijon një rrezik të lartë për fluturimet civile që kryhen në të gjitha lartësitë dhe nivelet e fluturimit”, tha EASA në një deklaratë.Rekomandimi, raporton Reuters, vjen në një kohë tensionesh në rritje, ndërsa fuqitë botërore dhe vendet në rajon shprehin shqetësim se një ndërprerje e mundshme e negociatave midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të çojë në një përshkallëzim të konfliktit dhe destabilizim të rajonit më të gjerë të pasur me naftë.
Irani më parë paralajmëroi se do t'i përgjigjej me vendosmëri çdo sulmi të mundshëm, si dhe se vendet fqinje të Gjirit Persik, të cilat strehojnë baza ushtarake amerikane, mund të ekspozohen ndaj pasojave nëse përfshihen në operacione të mundshme ushtarake.
© SYRI.net