Qeveria italiane miratoi këtë mbrëmje, një projektligj të ri mbi migracionin dhe të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare, i propozuar nga Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi dhe Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio.
Gazetarja e Syri TV, Alba Kepi, raporton se ligji synon të rrisë kontrollin mbi kufijtë, të përshpejtojë procedurat e kthimit dhe të vendosë kriterë më të rreptë për mbrojtjen komplementare dhe ribashkimin familjar.
Sipas dokumentacionit të qeverisë, masat kryesore përfshijnë: ndalimin e kalimit të anijeve në ujërat territoriale në rast kërcënimesh për sigurinë kombëtare; procedura të përshpejtuara për largimin e emigrantëve nga vendet e sigurta; kontrolle më të forta mbi kriteret e ribashkimit familjar; dhe sanksione të rrepta për shkelësit e rregullave të akomodimit.
Ligji gjithashtu parashikon adaptimin e sistemit italian të azilit me Marrëveshjen Evropiane mbi migracionin dhe azilin, nëvpërputhje me direktivat dhe rregulloret e reja të BE-së për analizën e kërkesave dhe menaxhimin e të dhënave biometrike.
Reagimet dhe shqetësimet
Projektligji ka shkaktuar debate të forta në skenën politike dhe institucionale. Opozita e ka cilësuar ligjin si “tepër të ashpër” dhe ka paralajmëruar se fokusimi tek kontrolli i kufijve mund të shkelë të drejtën për azil dhe të rrezikojë trajtimin human të emigrantëve. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për pasojat sociale dhe humane të procedurave të përshpejtuara dhe të sanksioneve të rrepta.
Ekspertët e migracionit theksojnë se ligji, megjithëse i nevojshëm për të menaxhuar flukset migratore, mund të përballet me sfida praktike në zbatim, duke përfshirë mbingarkesën e autoriteteve kufitare dhe rritjen e tensioneve sociale në komunitetet pritëse.
Ligji i ri për migracionin është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të harmonizuar legjislacionin italian me standardet e Bashkimit Evropian dhe për të forcuar kontrollin mbi flukset migratore. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet balanca midis sigurisë kombëtare dhe respektimit të të drejtave themelore të individëve. Kur ligji të hyj në fuqi, efektet e tij do të maten jo vetëm nga numrat e kthimeve dhe shmangia e largimeve të paligjshme, por edhe nga ndikimi në integrimin social dhe perceptimin publik mbi politikat e migracionit.

© SYRI.net