Pamje të reja të publikuara në kuadër të dosjeve Epstein hedhin dritë mbi jetën e Ghislaine Maxwell brenda qelisë së saj në burg, duke rikthyer në vëmendje një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual të viteve të fundit. Videot janë pjesë e mbi tre milionë dokumenteve të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta në mbarë botën.
Ghislaine Maxwell, 64 vjeçe, ish-socialite dhe bashkëpunëtore e ngushtë e financierit Jeffrey Epstein, u dënua në vitin 2021 për trafikim seksual të të miturve dhe konspiracion për shfrytëzim seksual. Ajo po vuan një dënim prej 20 vitesh burg.
Pamjet, të verifikuara nga Channel 4 News, tregojnë rreth 10 orë regjistrime sigurie nga korriku i vitit 2020, kur Maxwell ndodhej e paraburgosur në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, pas arrestimit të saj nga FBI në një rezidencë luksoze në New Hampshire. Në video ajo shfaqet e veshur me uniformë portokalli, në një qeli betoni, duke rregulluar shtratin, duke pushuar dhe duke lexuar një libër, ndërsa priste vendimin për lirimin me kusht.
Në atë kohë, Maxwell i mohoi të gjitha akuzat dhe iu refuzua lirimi me kusht, pasi autoritetet e konsideruan rrezik arratisjeje. Më vonë, një paketë garancie prej 28.5 milionë dollarësh u refuzua nga gjykata, pavarësisht propozimit që ajo të mbahej nën mbikëqyrje të armatosur.
Pas shpalljes fajtore në dhjetor 2021, Maxwell u transferua në institucione të ndryshme korrektuese dhe në vitin 2025 u dërgua në një burg me siguri të ulët në Teksas, për shkak të frikës se mund të ishte në rrezik për jetën.
Publikimi i dokumenteve të reja ka rikthyer gjithashtu në qendër të vëmendjes lidhjet e Epstein me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë Princin Andrew, Bill Clinton, Bill Gates dhe emra të tjerë të fuqishëm, të cilët përmenden në komunikime dhe dëshmi të përfshira në dosje. Shumë prej tyre kanë mohuar çdo përfshirje apo dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein.
Ndërkohë, Ghislaine Maxwell pritet të dëshmojë para një komisioni të Kongresit amerikan më 9 shkurt, megjithëse avokatët e saj kanë sinjalizuar se ajo mund të refuzojë të përgjigjet duke u mbështetur në Amendamentin e Pestë. Pamjet nga qelia e saj konsiderohen vetëm një pjesë e vogël e materialeve tronditëse që po dalin në dritë nga dosjet Epstein, të cilat vazhdojnë të ekspozojnë përmasa të errëta të një rrjeti të gjerë abuzimi dhe trafikimi seksual./Daily Mail
© SYRI.net