Arabia Saudite lehtëson ndalimin e alkoolit për të huajt e pasur

Arabia Saudite lehtëson ndalimin e alkoolit për të huajt e pasur

14:09, 05/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arabia Saudite ka nisur në mënyrë të heshtur të lejojë blerjen e alkoolit për të huajt e pasur jomuslimanë, duke shënuar një ndryshim historik pas një ndalimi 73-vjeçar. Analistët vlerësojnë se ky lehtësim mund të zgjerohet gradualisht edhe për turistët, raportojnë burime nga Rijadi.

Për dekada me radhë, Zona Diplomatike e Riadit ka qenë një enklavë elitare, e ndarë nga pjesa tjetër e kryeqytetit, ku ndodhen ambasada dhe rezidenca luksoze. Sot, brenda një kompleksi diskret dhe pa emër, është hapur një dyqan që po shërben si terren testimi për një nga politikat më të ndjeshme të mbretërisë: shitjen e kontrolluar të alkoolit për të huaj të pasur jomuslimanë.

Arabia Saudite, vendi ku ndodhen dy vendet më të shenjta të Islamit, e ndaloi alkoolin në vitin 1952. Megjithatë, vitet e fundit, në kuadër të reformave të gjera sociale dhe ekonomike, mbretëria po përpiqet të paraqitet si një shoqëri më e moderuar dhe miqësore ndaj investimeve të huaja.

Nën drejtimin e princit të kurorës Mohammed bin Salman, autoritetet kanë rihapur kinematë, kanë organizuar festivale të mëdha muzikore, kanë hequr ndalimin për drejtimin e automjeteve nga gratë dhe kanë kufizuar fuqinë e policisë fetare. Zgjerimi i shitjes së ligjshme të alkoolit konsiderohet nga shumëkush si hapi më i guximshëm deri tani.

Dyqani i pijeve alkoolike u hap fillimisht në janar 2024 vetëm për diplomatët jomuslimanë. Por, sipas rregullave të reja të zbatuara në fund të vitit 2025, tashmë edhe rezidentët e huaj të pasur jomuslimanë mund të blejnë birrë, verë dhe pije të forta.

Për të përfituar, të huajt duhet të kenë leje “Premium Residency”, e cila kushton 100 mijë rialë sauditë në vit, ose të vërtetojnë të ardhura mujore prej të paktën 50 mijë rialësh. Skema u drejtohet kryesisht drejtuesve të lartë, investitorëve dhe profesionistëve me aftësi të specializuara. Turistët e huaj nuk lejohen ende të blejnë alkool.

Blerësit duhet të paraqesin kartën e qëndrimit, ku shënohet edhe përkatësia fetare, ndërsa telefonat u mbyllen në qese të posaçme para hyrjes. Radhët mund të zgjasin mbi një orë. Çmimet janë dy deri në tre herë më të larta se në Perëndim, por më të ulëta se në tregun e zi. Një shishe “Johnny Walker Black Label” kushton rreth 124 dollarë.

Nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga qeveria dhe shumë të huaj janë informuar për ndryshimin përmes gojëdhënave. Analistët thonë se paqartësia është e qëllimshme, për të testuar reagimin e shoqërisë saudite, ku praktikat fetare mbeten të forta.

Ndryshimi i politikës përkon edhe me presionet ekonomike mbi vendin. Me rënien e çmimeve të naftës dhe shtrëngimin e financave publike, Arabia Saudite po synon të tërheqë më shumë investitorë, profesionistë të kualifikuar dhe turistë, në kuadër të strategjisë “Vision 2030”.

Sipas raportimeve, autoritetet planifikojnë hapjen e dy dyqaneve të tjera të alkoolit, një në Xheda dhe një tjetër në Dhahran, me të njëjtat kufizime për blerësit. Ndërkohë, industria e hotelerisë po përgatitet për lehtësime të mëtejshme, duke rekrutuar staf si baristë, në pritje të një hapjeje të mundshme edhe për turistët në të ardhmen.

Në vitin 2024, Arabia Saudite priti rreth 30 milionë turistë ndërkombëtarë dhe synon të arrijë 70 milionë deri në vitin 2030, duke e bërë turizmin një shtyllë kyçe të ekonomisë përtej naftës./BBC

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco