Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

Marrëveshja SHBA-Rusi për armët bërthamore përfundoi, shefi i OKB: Bota po përballet me një moment shumë serioz

Marrëveshja SHBA-Rusi për armët bërthamore përfundoi, shefi i OKB: Bota po përballet me një moment shumë serioz

09:01, 05/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje Uashingtonit dhe Moskës të nisin pa vonesë negociata për arritjen e një marrëveshjeje të re për çarmatimin bërthamor, pasi marrëveshja e fundit e mbetur mes dy fuqive ka skaduar, një zhvillim që ai e cilësoi si “një moment jashtëzakonisht serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Përfundimi i dekadave të tëra arritjesh në kontrollin e armëve nuk mund të vinte në një kohë më të keqe. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është sot në nivelin më të lartë në dekada,” deklaroi Guterres, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë “të kthehen pa vonesë në tryezën e negociatave dhe të bien dakord për një kornizë të re”.

Që nga Lufta e Ftohtë, Uashingtoni dhe Moska kanë arritur një sërë marrëveshjesh për kontrollin e arsenaleve të tyre bërthamore, dy vendet që zotërojnë rreth 80% të kokave bërthamore në botë. Marrëveshja më e fundit, START i Ri, e nënshkruar në vitin 2010, kufizonte arsenalin e secilës palë në 800 raketa lëshuese dhe bombardues strategjikë, si dhe në 1.550 koka bërthamore të vendosura për përdorim, duke parashikuar gjithashtu shkëmbime të rregullta të të dhënave dhe mekanizma verifikimi.

Inspektimet e parashikuara nga START i Ri ishin pezulluar tashmë në vitin 2023, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022.

“Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, bota përballet me mungesën e çdo kufizimi detyrues mbi arsenalet strategjike bërthamore të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” paralajmëroi shefi i OKB-së.

Shtetet e Bashkuara ishin tërhequr më herët, në vitin 2019, nga një tjetër marrëveshje kyçe për çarmatimin bërthamor, Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), i cili ishte nënshkruar në vitin 1987 me Rusinë, atëherë Bashkimin Sovjetik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco