Fshihet ëngjëlli me fytyrë e Melonit, restauratori: Ma kërkoi Vatikani

Fshihet ëngjëlli me fytyrë e Melonit, restauratori: Ma kërkoi Vatikani

19:23, 04/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Në kishën e San Lorenzo in Lucina në Romë është fshirë fytyra e një ëngjëlli mbi një aftesk të restauruar, e cila ishte interpretuar nga shumë persona si e ngjashme me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Ndërhyrja është kryer nga vetë autori dhe restauratori i afreskut, Bruno Valentinetti.

Lajmin e ka konfirmuar famullitari i kishës, imzot Daniele Micheletti: “Kam thënë gjithmonë se, nëse vepra do të rezultonte përçarëse, do ta hiqnim. Për më tepër, kishte shumë njerëz që vinin vetëm për ta parë afreskun dhe jo për të marrë pjesë në meshë apo për t’u lutur. Kjo nuk ishte e pranueshme”.
Valentinetti ka deklaruar "e fshiva me kërkesë të Vatikanit”

“E kam fshirë sepse ma kërkoi Vatikani. Për mua nuk ka rëndësi e vazhdoj të them se nuk ishte kryeministrja, por Kuria vendosi kështu dhe unë e hoqa”, ka deklaruar Valentinetti. 

Afresku në kapelën e Kryqit ishte realizuar fillimisht në vitin 2000 dhe ishte restauruar nga i njëjti autor në vitin 2025. Pikërisht gjatë këtij restaurimi u bënë ndryshimet që çuan shumë vizitorë të identifikonin në fytyrën e engjëllit tipare të kryeministres italiane.

Pas përhapjes së lajmit, kardinali vikar i Romës, Baldo Reina, shprehu qëndrimin e dioqezës me tone të ashpra: “Imazhet e artit të shenjtë dhe të traditës së krishterë nuk mund të jenë objekt përdorimesh të papërshtatshme apo instrumentalizimesh, pasi ato janë të destinuara ekskluzivisht për jetën liturgjike dhe për lutjen personale e komunitare”.

Ndërkohë, Superintendenca Speciale e Romës ka nisur kërkime arkivore për të gjetur dokumentacionin origjinal – fotografi ose skica – të afreskut të realizuar në vitin 2000. Këto kërkime pritet të çojnë në rikthimin e plotë të versionit origjinal të veprës.

Edhe Vikariati i Romës ka kërkuar zyrtarisht rikthimin e pamjes fillestare të afreskut, duke theksuar se vepra “paraqiste fizionomi që nuk përputheshin me ikonografinë origjinale dhe me kontekstin e shenjtë”. 

Vikariati ka riafirmuar gjithashtu angazhimin për ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë artistike kishtare, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco