75 kongresmenë amerikanë, përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e Departamentit të Shtetit për të pezulluar lëshimin e vizave të emigracionit për 75 vende, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të kësaj mase.
Në letër, kongresmenët dënojnë ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si të njëanshëm, skandaloz dhe diskriminues.
‘Ju shkruajmë për të dënuar fuqimisht vendimin tuaj të njëanshëm për të pezulluar lëshimin e të gjitha vizave të emigracionit për 75 shtete. Ky është një vendim skandaloz dhe diskriminues i administratës suaj, që prek gati 40% të vendeve të botës. Është gjithashtu tronditëse që një ndryshim kaq drastik politikash, i cili prek qindra mijëra njerëz çdo vit, u njoftua përmes një postimi në Tëitter, pa asnjë informacion domethënës mbi vetë pezullimin’, thuhet në dokument.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, lista e vendeve të prekura përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antiguan dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamasin, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Birmaninë, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Domenikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kits dhe Nevisin, Shën Luçian, Shën Vincentin dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.
Kongresmenët theksojnë se pezullimi prek drejtpërdrejt të afërmit e shtetasve amerikanë, vizat e sponsorizuara nga familja dhe punëdhënësit, vizat për punonjës fetarë, programin e diversitetit, si dhe vizat për rezidentë që rikthehen në SHBA.
Në letër shprehet gjithashtu shqetësimi për ndikimin social, ekonomik dhe politik të kësaj mase, veçanërisht për zgjedhësit në distriktet kongresionale.
‘Kjo politikë do të ketë një ndikim shkatërrues për zgjedhësit tanë. Ajo do të ndajë familje, do të pengojë ribashkimin e tyre, do të bllokojë ndjekjen e ëndrrës amerikane, do të ngadalësojë rritjen e bizneseve të vogla dhe do të minojë aftësinë e organizatave fetare për të ndërtuar dhe mbajtur komunitete. Me pak fjalë, kjo politikë është e prapambetur, e vjetëruar dhe shkakton shumë më tepër dëm sesa dobi’, theksohet në dokument.

Kongresmenët i kanë vendosur administratës afat deri më 20 shkurt për t’u përgjigjur një sërë pyetjesh, përfshirë:
Nëse ekzistojnë të dhëna që mbështesin pretendimin se kjo politikë synon parandalimin e abuzimit të sistemit të emigracionit.
Cili është justifikimi ligjor për pezullimin.
Pse nevojitet një pezullim i përgjithshëm, kur vlerësimet individuale për ‘barrë publike’ janë tashmë pjesë e ligjit.
Nëse është kryer një analizë kosto-përfitim për këtë politikë.
Kur pritet të përfundojë rishikimi i politikave dhe nëse do të ketë përjashtime të tjera.
Në përfundim, letra rithekson kërkesën e fortë për tërheqjen e vendimit.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit u njoftua më 14 janar. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka bërë të ditur se intervistat për vizat e emigrimit do të vijojnë normalisht. Personat që kanë shtetësi tjetër, e cila nuk përfshihet në listën e 75 vendeve, përjashtohen nga ky vendim. Vizat e lëshuara deri më tani nuk do të revokohen, ndërsa vizitat turistike drejt SHBA-së do të vazhdojnë normalisht.
© SYRI.net