Situatë dramatike: Rusia vazhdon ‘gjenocidin e dimrit’ kundër Ukrainës

Situatë dramatike: Rusia vazhdon ‘gjenocidin e dimrit’ kundër Ukrainës

10:56, 03/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

BILD

Terrori i dimrit rus godet Ukrainën me gjithë forcën. Pak pasi përfundoi një armëpushim i shkurtër, raketat dhe dronët godasin sërish. Qytete të tëra dridhen në temperaturat e acarta prej –20 gradë. Sipas të dhënave ukrainase, ushtria ruse mbi 70 predha gjatë natës – përfshirë raketa balistike dhe raketa lundruese – dhe dërgoi rreth 450 dronë luftarakë.

Predhat goditën rajonet e Sumit, Karkivit dhe Kievit – gjithashtu u prekën edhe Dnjipro, Odesa dhe Vinica. Sulmi erdhi menjëherë pas një armëpushimi të kufizuar, të cilin kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, e kishte miratuar vetëm deri të dielën, pavarësisht lutjeve të presidentit amerikan, Donald Trump. Pak pasi armëpushimi përfundoi, sërish u goditën ndërtesa të larta dhe termocentrale.

Një predhë ruse shkaktoi zjarr në një ndërtesë të lartë në Kiev.

Ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal (50), shkroi në Telegram se Rusia kishte sulmuar sërish infrastrukturën energjetike në mënyrë të qëllimshme. Ai e quajti këtë “përpjekje për një gjenocid dimëror”.

Gjenocid nënkupton vrasjen, shfarosjen ose shkatërrimin me qëllim të një grupi njerëzish për shkak të përkatësisë etnike, sociale, kombëtare ose bindjeve fetare. Që nga viti 1948 ekziston një Konventë e OKB-së (për shkak të Holokaustit) që synon të parandalojë dhe të ndëshkojë gjenocidin.

Veçanërisht goditje të rënda pësoi Kievi. Aty shpërthyen zjarre në ndërtesa të larta, u dëmtuan edhe një kopsht fëmijësh dhe Muzeu i Luftës Botërore. Ministrja ukrainase e Kulturës, Tetjana Bereshna, e përshkroi sulmin ndaj statujës “Nëna” si “simbolik dhe cinik”.

Në më shumë se 1100 shtëpi u ndërpre ngrohja, sipas ministrit të Rindërtimit, Oleksij Kuleba. Në kryeqytet dhe në Karkiv të paktën pesë persona u plagosën, sipas autoriteteve.

Në Karkiv predhat ruse sulmuan sërish infrastrukturën energjetike. Edhe aty, ngrohja u ndërpre në mbi 800 shtëpi. “Këto nuk ishin objektiva ushtarake, por ekskluzivisht civile”, thuhej në një deklaratë. Mijëra familje – përfshirë fëmijë – mbetën qëllimisht pa ngrohje.

Edhe kompania ukrainase e energjisë, DTEK, raportoi dëme të rënda të reja: Rusia kishte sulmuar termocentralet e kompanisë. Ky është sulmi i nëntë masiv ndaj këtyre objekteve që nga tetori 2025. Që nga fillimi i pushtimit të gjerë, centralet e DTEK janë sulmuar më shumë se 220 herë. Sipas kompanisë, gjatë këtyre sulmeve u plagosën 59 punonjës dhe katër humbën jetën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Moska po përdor “ditët më të ftohta të dimrit për të terrorizuar njerëzit”. Kjo duket se është më e rëndësishme për Rusinë se “të kthehet tek diplomacia”. Ai njëherazi kërkoi sërish dërgimin e shpejtë të raketave kundërajrore nga partnerët perëndimorë.

Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, arriti në Kiev për një vizitë, sipas “Financial Times”. Gjatë ditës ishte planifikuar një takim me Zelenskyn.

Ukraina po mbron veten prej gati katër vitesh me ndihmën e Perëndimit kundër luftës agresive ruse. Rreth një javë më parë, negociatorët e Moskës dhe Kievit u takuan për herë të parë direkt në Abu Dhabi për të diskutuar mbi një plan të SHBA-së për përfundimin e luftimeve. Bisedime të tjera janë planifikuar për të mërkurën dhe të enjten.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco