Skinheads, CasaPound, ekstremi i djathtë italian në Parlament: kaos dhe përplasje të forta politike, konferenca anullohet

Skinheads, CasaPound, ekstremi i djathtë italian në Parlament: kaos dhe përplasje të forta politike, konferenca anullohet

11:43, 30/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Një iniciativë e ekstremit të djathtë italian ka shkaktuar tensione të forta politike në Parlamentin italian, duke çuar në anulimin e një konference për shtyp të planifikuar në Montecitorio. Bëhet fjalë për komitetin “Remigrazione e Riconquista”, i cili kishte paralajmëruar nisjen e një mbledhjeje firmash për një projektligj të ashtuquajtur të “remigracioni”.

Komiteti është themeluar nga katër grupe të njohura të ekstremit të djathtë: CasaPound, Rete dei Patrioti, Veneto Fronte Skinheads dhe Brescia ai Bresciani. Qëllimi i deklaruar i nismës është “forcimi i kontrollit të flukseve migratore”, dëbimi i emigrantëve pa dokumente ose të dënuar për krime, konfiskimi i pasurive të atyre që përfitojnë nga trafiku i qenieve njerëzore, ndërprerja e fondeve për sistemin e pritjes së migrantëve dhe ndalimi i veprimtarisë së OJQ-ve në Mesdhe.

Konferenca për shtyp ishte rezervuar nga deputeti i Legës Domenico Furgiuele, i afërt me rrymën më radikale të partisë dhe me zëvendëssekretarin Roberto Vannaçi. Në takim pritej të merrnin pjesë përfaqësues të njohur të ekstremit të djathtë, përfshirë Luca Marsella, zëdhënës i CasaPound dhe president i komitetit.

Ngjarja ka shkaktuar një stuhi politike. Partitë opozitare – Partia Demokratike (PD), Lëvizja 5 Yje (M5S) dhe Aleanca e të Majtës së Gjelbër (AVS) – reaguan ashpër, duke e cilësuar të papranueshme praninë e “fashistëve dhe neonazistëve” në ambientet e Parlamentit. Si shenjë proteste, një grup deputetësh të opozitës okupuan sallën e shtypit të Dhomës së Deputetëve.

Ndërhyrja vendimtare erdhi nga vetë presidenti i Dhomës, Lorenzo Fontana (Lega), i cili e cilësoi konferencën “të papërshtatshme” dhe i kërkoi deputetit që e kishte rezervuar të rishqyrtonte nismën. Pas kësaj, konferenca u anulua, megjithëse Furgiuele deklaroi se nuk do të tërhiqet nga mbështetja e tij politike.

Termi “remigracion”, sipas gjuhëtarëve dhe analistëve, është një neologjizëm i përdorur së fundmi nga e djathta ekstreme evropiane, veçanërisht në Austri dhe Gjermani, dhe lidhet me idenë e kthimit masiv – shpesh të detyruar – të emigrantëve në vendet e origjinës. Kundërshtarët e kësaj ideje e përkufizojnë atë si një formë deportimi në masë, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.

Komiteti synon të mbledhë 50 mijë firma për të paraqitur projektligjin si nismë popullore, përfshirë edhe online dhe përmes stendave në qytete të ndryshme italiane. Megjithatë, rasti i Montecitorios tregon se tema e “remigracionit” ka hapur një debat të ashpër dhe polarizues në skenën politike italiane.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco