Izraeli shkakton dhjetëra viktima në Liban në mesin e bisedimeve për paqe SHBA-Iran

Izraeli shkakton dhjetëra viktima në Liban në mesin e bisedimeve për paqe SHBA-Iran

08:59, 21/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në jug të Libanit situata mbetet e tensionuar, pasi sulmet ajrore dhe me dronë të ndërmarra nga Izraeli kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi të rinovuar, duke shkaktuar dhjetëra viktima civile dhe ushtarake.

Sipas autoriteteve libaneze, vetëm në zonën Nabatieh janë vrarë 16 persona dhe janë plagosur 12 të tjerë si pasojë e bombardimeve të së shtunës. Në zona të tjera të jugut, përfshirë Tyren dhe Sido-n, janë raportuar sulme të tjera vdekjeprurëse. Në fshatin Barish, një familje e tërë – prindërit dhe dy fëmijët – humbën jetën nga një goditje ajrore, ndërsa në Sohmor katër persona u vranë gjatë një tjetër sulmi.

Po ashtu, autoritetet libaneze konfirmuan edhe vdekjen e një ushtari të ushtrisë së Libanit gjatë një sulmi në Kfar Reman, duke rritur shqetësimet për përshkallëzimin e situates, pavarësisht marrëveshjeve të fundit për ulje tensionesh.

Ministria e Shëndetësisë në Liban raportoi se vetëm të premten, menjëherë pas shpalljes së armëpushimit të ri, janë vrarë 83 persona dhe janë plagosur 141 të tjerë, shumica në jug të vendit dhe në lindje. Në terren, gazetarët raportojnë mbi 100 sulme ajrore vetëm brenda një nate, duke e bërë armëpushimin të duket gjithnjë e më i brishtë.

Në sfond të kësaj dhune, pritet që të zhvillohen bisedime të reja diplomatike në Burgenstock të Zvicrës, ku përfaqësues nga SHBA-të dhe Irani do të diskutojnë një memorandum mirëkuptimi për uljen e konfliktit dhe stabilizimin e situatës në Liban. Në proces do të marrin pjesë edhe ndërmjetës nga Pakistani dhe Katari.

Sipas burimeve diplomatike, çështja e armëpushimit në Liban shihet si thelbësore për ecurinë e negociatave më të gjera rajonale. Irani ka deklaruar se stabiliteti në Liban mund të jetë vendimtar për suksesin ose dështimin e këtyre bisedimeve.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka akuzuar grupin Hezbollah për sulme me më shumë se 50 raketa drejt forcave të saj në jug të Libanit, duke pretenduar shkelje të armëpushimit. Hezbollahu ka deklaruar se do të vazhdojë rezistencën, derisa forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga territori libanez.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit në Uashington më 23 dhe 25 qershor, me synimin për të arritur një paqe më të qëndrueshme dhe për të ndalur ciklin e dhunës që po zgjat prej muajsh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco