Më i kërkuari në Australi/ Identifikohet autori i tre vrasjeve të njëpasnjëshme

Më i kërkuari në Australi/ Identifikohet autori i tre vrasjeve të njëpasnjëshme

15:19, 23/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Julian Ingram, është personi më i kërkuar në Australi pasi dyshohet se vrau tre persona në Uellsin e Ri Jugor, mes tyre ish-partneren e tij shtatzënë dhe dy familjarë të saj, ndërsa ishte i lirë me kusht për dhunë në familje. Policia ka angazhuar rreth 100 efektivë dhe u bën thirrje qytetarëve të mos i afrohen të dyshuarit edhe nëse e shohin, pasi konsiderohet i rrezikshëm.

Julian Ingram, 37 vjeç, është aktualisht personi më i kërkuar nga autoritete australiane pas 3 vrasjeve të njëpasnjëshme në Uellsin Jugor.

Rastet ndodhën ndërkohë që kishte marë nga gjykata lirënë me kusht, pasi ishte dënuar për veprën penale të dhunës në familje.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së enjtes në Lake Cargelligo, rreth 450 kilometra në perëndim të Sidneit, ku Ingram dyshohet se hapi zjarr ndaj katër personave në dy episode të ndara.

Autoritetet konfirmojnë se tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një 19-vjeçar ndodhet në gjendje kritike në spital.

Sipas mediave lokale, një nga viktimat është ish-partnerja e të dyshuarit, 25-vjeçarja Sophie Quinn, e cila ishte shtatzënë në muajin e shtatë dhe pritej të sillte në jetë një djalë në muajin mars.

Një shoqe e saj u gjet gjithashtu e pajetë në automjetin ku ndodhej edhe Quinn.

Një tjetër i afërm i saj u vra në një incident të dytë, pak kohë më vonë.

Zëvendëskomisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Andreë Holland, deklaroi se viktimat duket se kishin lidhje familjare ose personale me autorin e dyshuar dhe se kjo linjë po hetohet me përparësi.

Rreth 100 efektivë, përfshirë njësi speciale taktike, janë angazhuar në operacionin e kërkimit.

Autoritetet konfirmuan se Ingram, i njohur edhe me emrin Julian Pierpoint, nuk ka pasur kurrë leje për armë zjarri dhe po hetohet mënyra se si ai ka siguruar armët e përdorura në sulm.

Ai punonte si punonjës i këshillit lokal dhe kishte njohuri të gjera për zonën, gjë që, sipas policisë, mund ta ndihmojë të fshihet për një periudhë të gjatë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i afrohen të dyshuarit nëse e shohin, duke theksuar se ai konsiderohet i rrezikshëm, dhe të kontaktojnë menjëherë autoritetet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco