Pas tërheqjes së tij lidhur me Groenlandën dhe uljes së tensioneve me aleatët europianë, Donald Trump prezanton sot në Davos nismën e re të quajtur “Këshilli i Paqes”. Fillimisht i konceptuar për rindërtimin e Gazës, ky këshill pritet të ketë një mandat shumë më të gjerë, duke synuar zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën dhe duke konkurruar drejtpërdrejt Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në orën 10:30, presidenti amerikan do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kartës themeluese të “Këshillit të Paqes”, i cili do të jetë nën kontrollin e tij. Drafti i kartës parashikon një rol të zgjeruar për këtë organ, që shkon përtej çështjes palestineze.
Një miliard dollarë për një vend të përhershëm- Kush do të marrë pjesë
Rreth 35 liderë botërorë kanë pranuar tashmë ftesën për t’u bashkuar me këshillin, nga afërsisht 50 ftesa të dërguara, bëri të ditur të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës Trump.
“Mendoj se është këshilli më i mirë që është krijuar ndonjëherë”, u shpreh Trump gjatë një takimi me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, i cili është ndër liderët që kanë pranuar pjesëmarrjen.
Çmimi i “biletës së hyrjes” është 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm në këshill.
Trump deklaroi në Davos se presidenti rus Vladimir Putin e ka pranuar ftesën, ndonëse më herët Putin ishte shprehur vetëm se Ministrisë së Jashtme i ishte “ngarkuar detyra të shqyrtojë” propozimin amerikan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi gjithashtu se ka pranuar të marrë pjesë.
Megjithatë, aleatë të rëndësishëm të SHBA-së, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë shprehur rezerva për këtë “Këshill Paqeje”. Në të kundërt, shumë vende të Lindjes së Mesme, si Arabia Saudite dhe Katari, kanë deklaruar se do t’i bashkohen nismës.
Trump nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për faktin se nuk ka fituar Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa shpesh pretendon se ka kontribuar në përfundimin e tetë luftërave – një pretendim që vihet në dyshim.
Takim i paralajmëruar me Zelenskyn
Ftesa drejtuar Vladimir Putinit ka shkaktuar shqetësim të veçantë tek aleatët e SHBA-së, sidomos tek Ukraina, e cila kërkon t’i japë fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë, që nisi me pushtimin e shkurtit 2022.
Donald Trump pritet të takohet sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, menjëherë pas shpalljes zyrtare të krijimit të “Këshillit të Paqes”.
Të mërkurën në Davos, Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina do të ishin “budallaqe” nëse nuk arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, të cilin ai kishte premtuar se do ta zgjidhte brenda një dite pas marrjes së detyrës.
Ai përsëriti se presidentët e Rusisë dhe Ukrainës janë pranë një marrëveshjeje, megjithëse herë pas here fajëson njërën ose tjetrën palë për mungesën e armëpushimit.
I rezervuar prej kohësh ndaj ndihmës për Ukrainën, Trump deklaroi në Davos se janë NATO-ja dhe Evropa ato që duhet “të merren me Ukrainën”, dhe jo Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të largohet nga Davosi drejt Moskës, së bashku me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Zelensky ka shprehur shqetësimin se komuniteti ndërkombëtar po humbet interesin për konfliktin në Ukrainë – më i përgjakshmi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – për shkak të tensioneve të shkaktuara nga ambiciet e Trumpit lidhur me Groenlandën.
Trump deklaroi gjithashtu se ka rënë dakord me shefin e NATO-s, Mark Rutte, mbi “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” lidhur me Groenlandën, duke shtuar se ende “ka shumë punë për t’u bërë” për të arritur një zgjidhje.
© SYRI.net