“ Nuk do të shkoj,” është përgjigjja e prerë e presidentit amerikan Donald Trump për ftesën e Emmanuel Macron për të udhëtuar në Paris pas samitit të Davosit, për një takim informal të G7, ku do të diskutohej edhe për Groenlandën.
Trump tha se Macron “nuk do të qëndrojë shumë gjatë” në pushtet, por shtoi se presidenti francez “është një mik i imi”. “Do ta zbuloni,” ishte përgjigjja shumë e shkurtër kur u pyet se sa larg është i gatshëm të shkojë për të marrë Groenlandën.
Fotot e emigrantëve të arrestuar
Presidenti amerikan Donald Trump filloi konferencën e tij për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë, duke treguar fotografi të disa emigrantëve të arrestuar muajt e fundit në Minnesota. “Doni të jetoni me ta? Shumica e tyre janë vrasës ndërkombëtarë. Vijnë pa para, kurrë nuk kanë pasur para, nuk kanë asnjë vend, dhe arrijnë këtu dhe bëhen të pasur,” shtoi ai, duke folur për emigrantët me origjinë somaleze.
“Këto janë njerëzit që disa po përpiqen t’i mbrojnë,” vazhdoi duke iu referuar autoriteteve lokale demokrate, gjatë konferences që nisi 50 minuta me vonesë.
Trump më pas pranoi për herë të parë se agjentët e imigracionit të ICE “mund të jenë të ashpër dhe të bëjnë disa gabime, por kjo mund të ndodhë,” tha ai duke iu drejtuar gazetarëve.
“Jam tronditur nga vdekja e asaj gruaje,” shtoi ai, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë vdekjes së Renee Good, e vrarë në Minneapolis nga një agjent i ICE. “Dëgjova që babai i saj është një mbështetës i madh i Trump, shpresoj që ende e mbështet, e do Trump, është e tmerrshme,” tha ai.
“365 fitore në 365 ditë”
Pas shfaqjes së fotografive të personave të arrestuar nga ICE, policia e frikshme anti-emigrant në SHBA, Trump kaloi te një libër me shumë faqe, për të treguar “sukseset” e administratës së tij gjatë vitit të parë në Shtëpinë e Bardhë.
“Askush nuk ka bërë kurrë diçka të tillë, Amerika po lulëzon,” tha ai duke treguar një nga paketat e shpërndara për media që theksojnë “365 fitore në 365 ditë”. Trump theksoi se ka trashëguar kaosin nga administrata Biden dhe lavdëroi atë që ai e konsideron sukseset e 12 muajve të parë.
“Gruaja ime mendon se jam një gjeni i financave si Warren Buffett. Gruaja ime ka kaluar gjithë jetën duke më kritikuar sepse nuk jam mjaftueshëm i zgjuar financiarisht. Tani, megjithatë, më do më shumë,” tha Donald Trump duke lavdëruar arritjet e administratës së tij.
“Nuk kemi inflacion,” shtoi Trump duke nënvizuar se administrata po pret vendimin e Gjykatës së Lartë mbi tarifat.
“Nuk e di si do të shkojë rasti, por kemi mbledhur dhjetëra miliarda dollarë. Nëse humbasim, është e mundur që do të duhet të punojmë për t’i kthyer,” shpjegoi ai.
Trump shprehu keqardhjen që mesazhi i tij ekonomik “nuk arrin” tek amerikanët dhe se nuk i jepet merita e duhur për rezultatet e arritura në këtë fushë. “Ndoshta kam njerëz shumë të këqij të marrëdhënieve me publikun,” tha ai në konferencë.
Operacioni në Venezuelë
“Në fillim të këtij muaji, një operacion ushtarak i SHBA-së arrestoi presidentin e vendit, Nicolas Maduro, para se ta dërgonin në gjykatë në New York.” Trump theksoi suksesin e operacionit ushtarak në Venezuelë që solli ndryshimin e udhëheqjes atje.
“Maria Machado më tha se nuk e meriton” çmimin Nobel për Paqe. “Mos më thoni që Norvegjia nuk e kontrollon,” ripërsëriti ai. “Duhej të kisha marrë Çmimin Nobel për të gjitha luftërat që ndala,” përsëriti Trump.
“Kombet e Bashkuara, me të gjitha luftërat që kam zgjidhur, kurrë nuk më kanë ndihmuar të mbaroj ndonjë konflikt,” vazhdoi ai. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Bord i Paqes për Gazën do të zëvendësojë OKB-në, Trump tha se OKB-ja duhet të vazhdojë, sepse “potenciali është i madh.” /La Repubblica/
© SYRI.net