Presidenti Donald Trump u zotua të premten se do të përballet me Kanadanë lidhur me zjarret në Amerikën e Veriut që kanë përfshirë pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara me një mjegull të dendur.
Duke e quajtur situatën “krejtësisht të papranueshme”, Trump akuzoi Otavën se nuk e ka adresuar në mënyrë adekuate situatën, e cila e ka çuar cilësinë e ajrit në nivele të rrezikshme në qytetet kryesore të SHBA-së për disa ditë me radhë.
Kostot e shkaktuara ndaj SHBA-së “duhet domosdoshmërisht t’i shtohen TARIFAVE që Kanadaja po paguan aktualisht”, shkroi Trump në një postim në Truth Social .
Trump shtoi se planifikon të telefonojë kryeministrin kanadez Mark Carney më vonë të premten “për të mësuar se çfarë do të bëjnë në lidhje me këtë”.
“Ne e mbajmë Kanadanë përgjegjëse për faktin se ata nuk po i mirëmbajnë siç duhet pyjet dhe shkurret e tyre, dhe Shtetet e Bashkuara po pushtohen panevojshëm nga ajri i ndyrë, i ndotur dhe i pashëndetshëm, cilësia e të cilit është e rrezikshme dhe krejtësisht e papranueshme!”, thuhet në postim.
“Kjo është neglizhencë e qëllimshme, dhe po bëhet një dukuri e përvitshme, duke i kushtuar Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë, kosto e së cilës e kësaj ndotjeje duhet domosdoshmërisht t’i shtohet TARIFËS që Kanadaja po paguan aktualisht.”

Trump nuk është politikani i vetëm amerikan që kritikon Kanadanë për mënyrën se si i ka trajtuar zjarret. Më herët këtë javë, një numër përfaqësuesish të shtetit të Miçiganit pretenduan se Kanadaja nuk ka bërë mjaftueshëm për të adresuar tymin, i cili ka çuar në përkeqësimin e kushteve të ajrit në shtetet veriore të SHBA-së.
Përfaqësuesit republikanë Jack Bergman, John James, Lisa McClain dhe John Moolenaar shkruan një letër të titulluar “Faljet e Kanadasë nuk do ta pastrojnë qiellin e Michiganit”.
Ata akuzuan Kanadanë se nuk veproi me “urgjencë” për të adresuar tymin e zjarreve në pyje vitet e fundit dhe deklaruan se “asgjë nuk ka ndryshuar përveçse durimi ynë ka sosur”.
Postimi i Trump është ndarë edhe nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
© SYRI.net