Autoritetet amerikane të emigracionit (ICE) po përballen me akuza të rënda pas vdekjes së një të burgosuri kuban në një qendër paraburgimi në Teksas. Geraldo Lunas Campos humbi jetën në 3 janar, ndërsa ishte në kujdestarinë e ICE, por rrethanat e vdekjes së tij po dalin në dritë vetëm tani dhe janë alarmante.
Fillimisht, ICE njoftoi se Campos ishte vëzhguar në vështirësi nga personeli, pa dhënë asnjë shpjegim për shkakun e vdekjes. Megjithatë, dy javë më vonë, një punonjës i zyrës së mjekut ligjor të Qarkut El Paso i tha vajzës së viktimës se vdekja pritet të klasifikohet si homicid. Biseda u regjistrua nga vajza dhe më pas u shpërnda me gazetën ‘Washington Post’.
Sipas regjistrimit, një mjek ligjor ka përcaktuar si shkak paraprak të vdekjes asfiksinë nga kompresioni i qafës dhe kraharorit, që do të thotë se Campos nuk ka marrë oksigjen të mjaftueshëm, për shkak të presionit të ushtruar mbi trupin e tij. Në pritje të rezultateve toksikologjike, zyrtari ka deklaruar se “mënyra e vdekjes ka shumë gjasa të regjistrohet si vrasje”.

Një dëshmitar okular, Santos Jesus Flores, i cili ndodhej i ndaluar në njësinë e izolimit atë ditë, ka rrëfyer për ‘Washington Post’ se pa të paktën pesë roje të ICE duke u përleshur me Lunas Campos, pasi ky i fundit refuzoi të hynte në izolim, duke u ankuar se nuk kishte marrë medikamentet e tij. Flores deklaroi se rojet e kanë shtrënguar për fyti dhe se Campos përsëriste vazhdimisht: “No puedo respirar”, “Nuk mund të marr frymë”.
“Pas kësaj, zëri i tij nuk u dëgjua më”, tha Flores, i cili më pas kontaktoi familjarët e viktimës.
Rasti i Lunas Campos vjen në një moment shqetësues për sistemin e paraburgimit të ICE. Gjatë vitit 2025, agjencia shënoi një rekord historik me të paktën 30 vdekje në qendrat e saj të ndalimit. Ndërsa vetëm në 9 ditët e para të vitit 2026, janë raportuar katër vdekje, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga ICE.
Këto ngjarje kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi trajnimin, mbikëqyrjen dhe përdorimin e forcës nga ana e agjentëve të ICE, veçanërisht në kushtet e një politike të ashpër ndaj emigracionit, e cila, nën administratën e presidentit Donald Trump, ka çuar në mbipopullimin e qendrave të ndalimit dhe rritjen e incidenteve të dhunës.
© SYRI.net