Izraeli ka shkatërruar një varrezë në Rripin e Gazës që përmban eshtrat e 22 ushtarëve kanadezë të vrarë gjatë misionit të parë paqeruajtës të OKB-së në vitin 1956, sipas raportimeve të mediave të mërkurën.
'Është sikur nuk ka më gurë varresh,' i tha Lia Bons, motra e Adriann-it, i cili është varrosur në këto varreza. 'Duket vetëm si dhe, zhavorr dhe rërë.'
Një oficer i ushtrisë izraelite pranoi se ushtarët e Brigadës së Luftimit gërmuan deri në një thellësi prej 20-30 metrash nën varreza për të shkatërruar një tunel të Hamasit në shkurt dhe se nuk u morën masa për të mbrojtur eshtrat e ushtarëve, pasi operacioni u zhvillua në kushte luftarake.
Varrezat e Luftës në Gaza, në lagjen Tuffah të Qytetit të Gazës, janë dëmtuar vazhdimisht nga Izraeli. Kanadezët e varrosur atje humbën jetën gjatë operacionit të parë paqeruajtës të OKB-së pas pushtimit izraelit të Egjiptit në vitin 1956, raportoi CBC. Ata janë ushtarët e fundit kanadezë të varrosur jashtë vendit.
Ushtria izraelite ka shkatërruar gurët e varreve, ka përdorur mjete të rënda për lëvizjen e dheut në varreza dhe ka vendosur tanke përreth tyre.
Familjet e viktimave kërkojnë që qeveria kanadeze të bëjë më shumë për të mbrojtur eshtrat, ndërsa disa prej tyre duan që qeveria t’i sjellë ato në atdhe.
Marguerite Picard dëshiron që vëllai i saj, Paul, të kthehet dhe të varroset pranë nënës dhe babait të tij.
'Jam mjaft e sigurt se prindërit e mi do të donin që vëllai im të riatdhesohej', tha ajo. 'Do ta vendosja pranë mamit dhe babit, dhe do t’i shkruhej emri në gurin e varrit, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ai ndodhet aty.'/ AA
© SYRI.net