Depozita të mëdha lëndësh të para në Evropë nuk shfrytëzohen

Depozita të mëdha lëndësh të para në Evropë nuk shfrytëzohen

17:44, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Antimoni është një nga lëndët e para më të rëndësishme për industrinë e armëve. Rusia dhe Kina dominojnë nxjerrjen e tij. Europa ka depozita të mëdha lëndësh të para.

Deri kohët e fundit, hyrja në minierën Trojarova ishte e hapur. Tuneli i braktisur ishte një destinacion shumë i popullarizuar turistik në Karpatet e Vogla. Ky varg kodrash të mbuluara me pyje ndodhet vetëm disa kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, Bratislavës. Por prej disa muajsh, zona është rrethuar.

Kompania kanadeze e minierave  Military Metals dëshiron të nxjerrë ar dhe, mbi të gjitha, antimon këtu. Ky gjysmëmetal i bardhë me shkëlqim argjendi është shumë i rrallë, por me rëndësi thelbësore për prodhimin e baterive, gjysmëpërçuesve dhe armëve. Ai nevojitet, për shembull, për të forcuar municionin, për armë precize ose për kamera termike.

Depozita më e madhe në BE

Pas sondazheve testuese, Military Metals në prill foli për depozitën më të madhe të antimonit në të gjithë BE-në. Flitet për 67.000 tonë ose deri në një të tretën e konsumit vjetor të antimonit të BE-së. "Vitin e kaluar, çmimi i antimonit u rrit me 200 për qind. Kjo do të thotë që vlera e antimonit është rreth dy miliardë dollarë amerikanë," shpjegon Martin Lendik, kryebashkiaku i komunës fqinje të Pernekut.

Miniera e antimonit Trojarova u eksplorua në vitet 1980, por u mbyll pas ndryshimeve politike të mes viteve 1990. Shumë njerëz në rajon shpresojnë që të mbetet kështu.

Shqetësime për ndotjen e mjedisit

"Guri i nxjerrë duhet të thërrmohet. Antimoni dhe ari janë ata që tërheqin investitorët, por ata përmbajnë edhe merkur dhe arsenik – metale që mund të shkatërrojnë mjedisin tonë," thotë Roman Macs, kryebashkiaku i Pezinokut. Zona e mëparshme minerare vazhdon të përballet me ndikimet mjedisore të shekujve të nxjerrjes së arit, piritit dhe mineralit të hekurit. Tani i shtohen shqetësimet për ndotjen e mëtejshme të tokës dhe ujërave nëntokësore.

Karpatet e Vogla tërheqin vizitorë në dimër me pistat e tyre të skive dhe në verë me shtigjet e tyre të ecjes. Ky varg malor romantik është gjithashtu rajoni më i rëndësishëm i kultivimit të rrushit në Sllovaki. 3000 banorë nënshkruan një peticion dhe kryeqyteti i rrethit, Pezinok, ka ndërmarrë veprime ligjore.

Michal Lukac, zëdhënës i Pezinokut, shpjegon: "Ne kemi dyshime të bazuara se punimet e kërkimit nuk janë kryer në shkallën e treguar. Prandaj, kemi depozituar ankesa në Prokurorinë e Përgjithshme. Ne kërkojmë pezullimin e punimeve dhe një hetim transparent." Pak vëmendje u kushtohet ish-minatorëve, të cilët bëjnë publicitet me krijimin e vendeve të reja të punës.

Image

BE dëshiron të jetë më i pavarur nga Kina dhe Rusia

Sllovakia e përfshiu projektin e antimonit dy vjet më parë në listën e saj të lëndëve të para kritike për eksplorim dhe njoftoi Komisionin Evropian. Në qershor, Military Metals kishte planifikuar të nisë një studim fizibiliteti.

Por tani ministri i Mjedisit, Tomas Taraba, i është dorëzuar presionit publik dhe ka tërhequr papritmas licencën e eksplorimit nga kompania: "Unë vetë jam nga Pezinoku. Nuk kam asnjë interes që aty të nxirret antimon." Zyrtarisht, pretendohet se interesi publik duhet të mbrohet.

Kompania e antimonit po përgatit një ankim. Ajo konsideron se ndalimi i projektit është i pabazuar dhe i papajtueshëm me strategjinë e Bashkimit Evropian për lëndët e para.

BE dëshiron të bëhet më e pavarur nga vende si Kina dhe Rusia. Kina kontrollon mbi 70% të prodhimit të antimonit dhe ka kufizuar eksportet prej dy vjetësh. Që atëherë, çmimet janë rritur ndjeshëm. Megjithatë, sipas Military Metals, pavendosmëria e Sllovakisë po dëmton reputacionin e vendit si destinacion investimesh, si dhe besueshmërinë e Evropës.

Plane për të përshpejtuar nxjerrjen e lëndëve të para

Ministria e Ekonomisë së Sllovakisë aktualisht po planifikon të përshpejtojë nxjerrjen e lëndëve të para dhe të thjeshtojë procedurat. Megjithatë, Ministria e Mjedisit kontrollohet nga një parti e vogël e krahut të djathtë që mbështet një politikë shkatërruese dhe, për më tepër, është në kundërshtim me ministrin e saj.

Ekziston edhe një depozitë tjetër e madhe antimon në Sllovaki, në juglindje të vendit. Kjo është gjithashtu një zonë ish-minierash me probleme të hershme mjedisore dhe shqetësime të reja. Kjo e bën edhe më të rëndësishme që palët e përfshira të bëjnë një punë më të mirë në rritjen e ndërgjegjësimit, kërkojnë gjeologë të tillë si Peter Kodera nga Universiteti Comenius në Bratislavë.

Ai e konsideron ndalimin e punimeve të kërkimit një masë të pamenduar mirë: "Kërkimi nuk është sinonim i nxjerrjes. Njohja e burimeve të veta minerale duhet të jetë prioritet për një vend." Veçanërisht kur bëhet fjalë për një lëndë të parë për të cilin bota padyshim ka nevojë./DW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco