Hipokrizia e së majtës për Iranin është e neveritshme

Hipokrizia e së majtës për Iranin është e neveritshme

15:31, 15/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Allister Heath – The Telegraph

Ku janë "artistët"kur ke nevojë për ta? Ku është zemërimi, tërbimi dhe pasioni i tyre, ndërsa mijëra iranianë që duan lirinë, bij e bija, po masakrohen nga teokratë islamistë apokaliptikë?

Shumë artistë, figura publike dhe aktivistë të majtë kaluan vite duke pushtuar rrugët, duke mbushur rrjetet sociale dhe duke e quajtur luftën e Izraelit për vetëmbrojtje në Gaza "gjenocid". Por tani, kur në Iran po kryhen krime të vërteta kundër njerëzimit, heshtja e tyre është shurdhuese. Çdo tmerr që ata pretenduan se Izraeli po ua bënte palestinezëve, regjimi iranian po ia bën realisht popullit të vet: protestuesit qëllohen pas koke ose me breshëri në rrugë, dhomat e spitaleve bastisen, të rinjtë ekzekutohen pa gjyq, disidentët torturohen.

Kjo është e keqe e pastër, një moment i turpshëm në histori, një njollë mbi njerëzimin. Pra ku janë thirrjet "nga Gjiri Persik deri te Deti Kaspik, Irani do të jetë i lirë"? Ku është flotilja e Greta Thunbergut? Pse Bob Vylan nuk ndez turmat kundër ajatollahëve? Ku janë pineskat, simbolet Shir o Khorshid, fotot e Princit të Kurorës Reza Pahlavi, emoji-t, studentët protestues, uljet simbolike, pushtimet e leksioneve, demonstratat masive që marrin nën kontroll qendrën e Londrës?

Hipokrizia është neveritëse, standardet e dyfishta janë të turpshme. "Artistëve"në të vërtetë nuk u intereson Irani, ashtu siç s'u interesojnë vdekjet në Sudan, persekutimi i ujgurëve apo pogromet e 7 tetorit. Ata janë më të interesuar të demonizojnë Izraelin dhe Perëndimin sesa të shpëtojnë jetë të pafajshme.

Avokatët e të drejtave të njeriut, ICC, ICJ dhe gjithë këto akronime të tjera kanë rezultuar po aq të padobishme, dhe ende presim rezoluta e hetime të OKB-së. Tre muaj më parë, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut zgjodhi një diplomat të regjimit iranian në komitetin e tij këshillimor, një parodi oruelliane. Tom Fletcher, nënsekretari i OKB-së për çështje humanitare, pretendoi rrejshëm vjet se "14,000 foshnja" rrezikonin urinë brenda 48 orësh në Gaza, duke nxitur shumë urrejtje kundër Izraelit. Deri të mërkurën në mbrëmje, profili i tij në X nuk kishte asnjë përmendje të masakrës tmerrësisht reale në Iran.

Pse nuk ka diçka si LGBTQ+ për Iranin, ose "Jetët Iraniane Kanë Rëndësi", ose "Drejtësi për Iranin", apo grupe që mbrojnë "rezistencë ndërsektoriale" kundër "patriarkatit dhe pushtimit" të ajatollahëve?

Nëse je viktima e llojit të gabuar, "artistëve"s'u bëhet vonë për ty. Për sa kohë që një regjim është anti-perëndimor, mizoritë e tij nuk kanë rëndësi ose mbulohen.

Ku ishin ata që gjoja shqetësohen për spastrim etnik, ndërsa miliona iranianë u detyruan të largohen nga atdheu i tyre që nga viti 1979, duke krijuar një diasporë prej 4–6 milionë vetash?

Erfan Soltani, 26 vjeç, do të ekzekutohet sepse kërkoi të drejta bazë. Ku janë kundërshtarët e dënimit me vdekje që gjithmonë protestojnë kundër sistemit penal amerikan? Irani përndjek homoseksualët, gratë dhe pakicat fetare. Ku janë peshkopët që thonë se kujdesen për lirinë fetare në Lindjen e Mesme? Ku janë të gjithë ata që na thonë vazhdimisht (gabimisht) se Amerika po kthehet në një "Handmaid's Tale", kur përballen me një teokraci reale që urren gratë?

Regjisori dhe kineasti iranian Javad Ganji u vra javën e kaluar. Pse askujt në Golden Globes nuk i bëri përshtypje? Pse Mark Ruffalo nuk e përmendi? Ku ishte solidariteti?

Mojtaba Torshiz, ish-mesfushor i Tractor-it, kampion i ligës iraniane të futbollit, la vajzat me prindërit dhe doli të protestonte. Ai dhe gruaja e tij u vranë. Rebin Moradi, 17 vjeç, një nga futbollistët e rinj më premtues të Teheranit, u vra. Ku janë autoritetet ndërkombëtare të futbollit? Ku janë futbollistët e Premier League që gjunjëzohen?

Për shumë të famshëm ose aktivistë jo veçanërisht ideologjikë, mbështetja e zëshme për Gazën ishte një shfaqje, një ritual performativ për të treguar virtytin dhe përkatësinë në klubin elitë të "njerëzve të mirë". Të rinjtë iranianë janë heronj, që përballen me banditët e IRGC-së dhe vdesin për bindjet e tyre, por të flasësh për ta nuk është në modë, ndaj të famshmit heshtin.

Kjo sjellje është e neveritshme, por jo aq sa ajo e besimtarëve të vërtetë. Miliona njerëz të arsimuar në Europë dhe Amerikë kanë rënë pre e "omnikauzës", një mendësi totalitare anti-perëndimore, produkt i qindra viteve gabimesh intelektuale nga Jean-Jacques Rousseau te Karl Marx, nga Jacques Derrida te Edward Said, e përzier me leninizëm, bestytni, mendim konspirativ dhe paragjykim.

Omnikauza e sheh Amerikën, Izraelin dhe botën kapitaliste si thelbin e Perëndimit, burimin e çdo të keqeje, fajtor për çdo "izëm" dhe "cid", dhe për këtë arsye mbështet regjime dhe kauza të botës së tretë që minojnë shoqëritë tona. Ajo është nihiliste dhe e ndryshueshme, duke përqafuar çdo doktrinë që i shërben qëllimit të saj, pavarësisht kundërshtive.

Vendet dhe lëvizjet gjykohen sipas asaj që përfaqësojnë, jo sipas veprimeve të tyre; revolucioni iranian i vitit 1979 është bashkimi i parë i së majtës me islamizmin, ndaj mbetet model për mbështetësit e mashtruar të omnikauzës.

Kjo është arsyeja pse kaq pak aktivistë perëndimorë mbështesin luftëtarët e lirisë në Iran. Këta disidentë janë pro-liri, pro-Amerikë dhe pro-demokraci. Ata mallkojnë Hamasin dhe Hezbollahun dhe kërkojnë fundin e financimeve të Teheranit për aleatët e tij, diçka e papranueshme për "idiotët tanë të dobishëm".

"Të shtypurit" nuk supozohet të kenë vullnet të lirë, ndaj protestuesve u atribuohen motive të errëta, si bashkëpunimi me spiunë të huaj.

E majta i hedh poshtë kritikët si "islamofobë", ndaj nuk arrin të përpunojë pamjet nga Irani ku gratë djegin shamitë e detyrueshme dhe turmat refuzojnë fenë e imponuar nga shteti si pjesë e një kryengritjeje laike.

Po formohet një aleancë nga poshtë mes diasporave hebreje dhe iraniane. Flamuj izraelitë shihen në çdo protestë kundër regjimit në Britani dhe Amerikë, dhe flamujt perandorakë iranianë në çdo protestë pro-Izrael. Skuadrat e vdekjes të financuara nga regjimi me 7 tetor ishin tmerrësisht të ngjashme me ato që sot enden në qytetet iraniane; një ditë, një Teheran i lirë do t'i ngjajë Tel Avivit.

Dështimi i diktaturës islamiste është total. Bankat po shemben. Thirrjet "Jāvid Shāh", rroftë Shahu, dominojnë protestat kundër regjimit; vetëm një shkëputje e plotë nga 47 vitet e fundit mjafton.

"Artistët" e kanë turpëruar veten. Ky regjim është një nga më monstruozët në botë. Duhet ta luftojmë të gjithë. Rënia e tij, kur të ndodhë, do të jetë si rënia e Murit të Berlinit, por këtë herë, në vend që të çlirohen nga komunizmi, miliona njerëz do të çlirohen nga islamizmi. Rroftë një Iran i lirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco