Një valë e fortë e të nxehtit pritet të përfshijë Spanjën dhe pjesë të tjera të Evropës gjatë ditëve në vijim, me temperaturat që në disa zona mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius.
Edhe pse vera nis zyrtarisht më 21 qershor, një pjesë e madhe e Spanjës prej javësh po përballet me temperatura të larta. Sipas ekspertëve, kushtet e motit do të përkeqësohen më tej gjatë fundjavës, duke sjellë një nga periudhat më të nxehta të këtij viti.
Shërbimi evropian i monitorimit të klimës, Copernicus, parashikon që vala e të nxehtit të prekë fillimisht zonat qendrore dhe perëndimore të kontinentit, përpara se të shtrihet në rajone të tjera. Spanja dhe Franca pritet të jenë ndër vendet më të goditura, ku në zonat më të nxehta temperaturat mund të luhaten nga 40 deri në 45 gradë Celsius.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për grupet më të rrezikuara, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme mund të zgjasin për disa ditë.
© SYRI.net