Operacioni amerikan i vitit të kaluar kundër objekteve bërthamore iraniane, në qershor 2025, i cili çoi edhe në luftën 12-ditore u konsiderua një model veprimi ushtarak të kufizuar. Me kohëzgjatje të shkurtër, saktësi të lartë, pa humbje personeli apo mjetesh. Një “goditje kirurgjikale” klasike, me mesazh të qartë strategjik.
Megjithatë, mundësia e një ndërhyrjeje të re vendoset në një nivel krejt tjetër. Nuk ka më të bëjë ekskluzivisht me infrastrukturë strategjike, por me një mjedis më të gjerë politiko-ushtarak, të shoqëruar me trazira të brendshme shoqërore dhe rrezik të shtuar për përshkallëzim.
Objektiva brenda zonave urbane
Ndryshe nga objektet bërthamore, strukturat që mbështesin mekanizmin e sigurisë së shtetit iranian ndodhen në masë të madhe brenda qyteteve: qendra komandimi, baza sigurie, instalime komunikimi dhe nyje ekonomike.
Kjo e ndryshon rrënjësisht ekuacionin. Mundësia e humbjeve anësore rritet ndjeshëm dhe çdo humbje civile minon objektivin politik të një operacioni që do të paraqitej si “mbështetje e shoqërisë”. Saktësia nuk është thjesht kërkesë teknike, por është parakusht politik.
Objektiva ekonomikë dhe presion indirekt
Një fushë alternative operacionale lidhet me bazën ekonomike të fuqisë së regjimit, infrastrukturat që kanë të bëjnë me rrjetet tregtare, të ardhurat energjetike dhe mekanizmat e financimit.
Goditja këtu nuk është e drejtpërdrejtë. Ajo është kumulative. Qëllimi nuk është shembja e menjëhershme, por krijimi i çarjeve brenda mekanizmit të sigurisë, zhvendosja e ankthit nga mbijetesa politike e regjimit drejt mbijetesës fizike dhe ekonomike të vetë strukturave të tij.
Presioni ekonomik përhapet fillimisht në shoqëri, me pasoja politike të paparashikueshme.
Sistemet e armëve në tryezë
Në nivel operacional, spektri i objektivave të mundshëm favorizon përdorimin e armëve dhe jo sulme ajrore masive.
Rol kyç mund të kenë:
Raketat lundruese Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse ose anije sipërfaqësore, larg brigjeve iraniane. Saktësi e lartë dhe rrezik i ulët për forcat amerikane.
JASSM (Joint Air-to-Surface Standoff Missile), me koka depërtuese dhe rreze të madhe veprimi, që lejojnë goditje pa hyrë në hapësira ajrore të mbrojtura rëndë.
Mjete ajrore pa pilot, për mbikëqyrje, shënjestrim dhe goditje selektive.
Përdorim i kufizuar i bombarduesve me rreze të gjatë veprimi, me furnizim ajror, nëse kërkohet një goditje me simbolikë të lartë.
Në të kundërt, përdorimi i avionëve të pilotuar me bomba me rënie të lirë konsiderohet me rrezik të lartë dhe operacionalisht i vështirë në mjedise urbane të dendura.
Kufizimet e fuqisë
Mungesa e aeroplanmbajtëseve të disponueshme menjëherë në rajon edhe pse urdhri që “Abraham Lincoln” të zhvendoset drejt Gjirit Persik është dhënë, ul fleksibilitetin dhe rrit varësinë nga mjetet ajrore me rreze të gjatë veprimi dhe nga bazat në Gjirin Persik ose edhe më larg.
Nëse realizohet, operacioni do të projektohet si një bastisje e shkurtër, jo si fushatë. Pa prani të zgjatur. Pa përfshirje tokësore. Me kontroll të rreptë të përshkallëzimit.
Kufiri i “teatrit” ushtarak
Një goditje e tillë do të ketë pashmangshëm edhe karakter demonstrimi force: imazhe, mesazh, tronditje. Një ndikim i shpejtë në mediat ndërkombëtare. Këtë ka treguar deri tani edhe Shtëpia e Bardhë me lëvizjet e saj, si verën e kaluar ashtu edhe së fundmi në Venezuelë.
Por ky është edhe kufiri i saj. Teatri ushtarak krijon presion, jo domosdoshmërisht përmbysje politike. Dhe përvoja e rajonit tregon se regjimet nuk rrëzohen nga raketa me saktësi të lartë, por nga konsumimi i brendshëm.
Shtetet e Bashkuara disponojnë mjetet, teknologjinë dhe përvojën operacionale për një tjetër sulm të kufizuar me saktësi të lartë. /Përshtatur në shqip nga Protothema
© SYRI.net