Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI) kanë kontrolluar sot shtëpinë e një gazetareje të Washington Post në shtetin e Virxhinias, në kuadër të një hetimi ndaj një kontraktori qeveritar të akuzuar për posedim të paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, raportoi gazeta amerikane.
Sipas Washington Post, FBI-ja kontrolloi pajisjet e gazetares Hannah Nathanson, duke i sekuestruar telefonin dhe orën inteligjente Garmin. Nathanson raporton mbi transformimet e qeverisë federale nën presidentin Donald Trump dhe së fundmi ka shkruar për rrjetin e saj të gjerë të burimeve brenda administratës federale, çka i ka sjellë nofkën “pëshpëritësja e qeverisë federale” mes kolegëve.
Ndërsa hetimet për rrjedhje të dokumenteve konfidenciale nuk janë të pazakonta, kontrolli i shtëpisë së një gazetari përfaqëson një përshkallëzim të rrallë dhe të ndjeshëm në përpjekjet e qeverisë për të frenuar rrjedhjet e informacionit, vlerëson Associated Press.
Washington Post e cilësoi veprimin e FBI-së si “shumë të pazakontë dhe agresiv”, ndërsa organizatat për lirinë e shtypit e dënuan kontrollin si një shkelje serioze të të drejtave të medias, duke akuzuar administratën Trump për presion ndaj gazetarëve.
Ministrja e Drejtësisë, Pam Bondi, deklaroi se kontrolli u krye me kërkesë të Pentagonit. Në një postim në platformën X, ajo tha se administrata Trump “nuk do të tolerojë rrjedhjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, e cila përbën rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për burrat dhe gratë që i shërbejnë vendit”.
Sipas urdhrit të gjykatës, kontrolli lidhet me një hetim ndaj një administratori sistemi në Maryland, Aurelio Perez-Lugonez, i cili këtë muaj u akuzua për posedim të paligjshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ai kishte akses në materiale të klasifikuara dhe dyshohet se ka shtypur dhe sjellë në shtëpi raporte të ndjeshme. Gjatë kontrollit në banesën dhe automjetin e tij, autoritetet gjetën dokumente të shënuara “sekret”.
Washington Post njoftoi se po monitoron dhe po shqyrton situatën.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka rishikuar vitet e fundit udhëzimet e brendshme mbi trajtimin e rrjedhjeve të informacionit në media. Në prill, ministrja Bondi nxori udhëzime të reja që u japin prokurorëve më shumë kompetenca për të lëshuar thirrje dhe urdhra-kërkimi ndaj zyrtarëve qeveritarë që japin informacion gazetarëve, duke përmbysur një politikë të administratës Biden që mbronte gazetarët nga sekuestrimi i fshehtë i të dhënave të tyre gjatë hetimeve për rrjedhje informacioni.
© SYRI.net