BILD
Ajo ka vënë nën kontroll qindra fëmijë. Edhe huliganë të dhunshëm në projekte risocializimi. Por sot, Vivian Motzfeldt përballet me rastin më të vështirë të jetës së saj: ministrja e Jashtme e Groenlandës takohet në Uashington me homologun amerikan, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance. I pranishëm do të jetë edhe ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen.
Ka vetëm një temë: Groenlanda. Presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron ta vendosë patjetër atdheun e ish-mësueses së shkollës fillore, vajzë e një bariu, nën kontrollin e SHBA-së – me para ose me forcë. Për Motzfeldt, kjo mund të jetë dita më e rëndësishme e jetës së saj. Një komb i tërë, i tensionuar, do ta ndjekë me ankth.
Edhe Tom do të ndjekë. Ai është një nga 56.000 banorët e Groenlandës. Mekaniku dhe vullnetari në një klinikë veterinare tregon për reporterët e BILD në Nuuk: “Vivian e sjell shpesh qenin e saj tek ne”.
Ai hedh sytë nga porti i mbuluar me borë dhe pyet i shqetësuar: “Banka më ka këshilluar të mbaj para cash në shtëpi, për çdo rast. Ushtria daneze po u kërkon bizneseve në Nuuk bashkëpunim. Kam frikë nga Trump. Çfarë po ndodh këtu?!”
Tom shqetësohet edhe për vetë Motzfeldt. Fillimisht ishte planifikuar vetëm një takim me Rubion, por fakti që zëvendëspresidenti Vance do t’i bashkohet në moment të fundit, i bën vëzhguesit të mendojnë se biseda mund të bëhet e ashpër. Vance konsiderohet i vijës së ashpër, pak diplomatik.
“E kam parë se si Trump e poshtëroi Zelensky-n në Shtëpinë e Bardhë. Si do t’ua japim ne groenlandezët një mësim atyre?”, pyet 55-vjeçari.
“Sa herë dëgjoj një zhurmë të pazakontë avioni, më kap frika nga një pushtim”, thotë Tom.
Motzfeldt ndodhet, si vetë vendi i saj, mes dy karrigeve: ajo duhet të parandalojë që njerëzit e Trumpit dhe ministri danez Rasmussen të negociojnë mbi kokën e Groenlandës. Njëkohësisht, duhet të nxjerrë maksimumin e mundshëm për popullin e saj nga të dyja palët. Një gjë pozitive: që kur Trump ka hedhur sytë nga Groenlanda, Danimarka ka rritur sërish investimet – në njerëz, infrastrukturë dhe ushtri.
Por ish-mësuesja dhe nëna e katër fëmijëve papritur duhet të luajë në ligën e madhe të politikës botërore. A është kjo një barrë shumë e rëndë për të?
Mbiemri i saj e tradhton: Motzfeldt ka rrënjë gjermane. Familja e saj e ka origjinën që në shekullin XVI, nga familja fisnike Motzfeldt në Arnsberg, në Sauerland – vendlindja e kancelarit Friedrich Merz. Shumë groenlandezë presin mbështetje prej tij kundër kërcënimeve nga Shtëpia e Bardhë.
Në Nuuk, ku bashkëshorti i saj bashkëzotëron një punishte të vogël kafeje dhe drejton Greenland Ëater Bank, e cila mbush shishe me ujë akullnajash, thuhet se Motzfeldt synon një marrëveshje asociimi me SHBA-në dhe Danimarkën. Kjo do t’u jepte amerikanëve më shumë të drejta në ishull dhe do t’u sillte groenlandezëve të ardhura të reja, ndërsa juridikisht Groenlanda do të mbetej kryesisht e pavarur.
Ajo e kishte propozuar një marrëveshje të tillë edhe një vit më parë në gazetën daneze Politiken: qasje ekskluzive ushtarake dhe ekonomike për SHBA-në, në këmbim të investimeve. Ushtarakisht, amerikanët kanë liri veprimi gjithsesi, falë marrëveshjeve të vjetra – Pentagoni mund të rihapë në çdo moment një nga 17 bazat e dikurshme.
Situata është, si gjithmonë, e ndërlikuar: me Danimarkën, me SHBA-në dhe brenda vetë Groenlandës. Marrëdhënia e përçarë e groenlandezëve – veçanërisht inuitëve të shtypur për shekuj – me Danimarkën, presioni i Trump nga jashtë dhe frika nga pushtimi krijojnë tension. Megjithatë, fëmijët e ishullit ndjejnë pak nga kjo, thotë sekretarja e shkollës Nuunu.
Perspektiva për të jetuar nën sundimin amerikan?
“Atëherë s’do të mund ta përballonim as dentistin”. Më mirë shteti social danez, thotë ajo.
Oferta e Trump për të “blerë” Groenlandën e zemëron: “100.000 dollarë për secilin? Mashtrim!”
Por kur pyetet për Vivian Motzfeldt, fytyra e saj serioze shndërrohet në një buzëqeshje luftëtare: “Kush e mban nën kontroll një klasë të tërë fëmijësh, ai përballet pa problem edhe me Vance dhe Rubio.”
© SYRI.net