Dështojnë negociatat/ Mijëra infermierë hyjnë në grevë në disa spitale të mëdha të Nju Jorkut

Dështojnë negociatat/ Mijëra infermierë hyjnë në grevë në disa spitale të mëdha të Nju Jorkut

12:50, 12/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mijëra infermierë në tre sisteme spitalore në New York City hynë në grevë të hënën, pasi negociatat gjatë fundjavës nuk arritën të jepnin zgjidhje në mosmarrëveshjet e tyre për kontratat.

Infermierët duhej të fillonin të largoheshin nga puna në orën 6 të mëngjesit në Spitalin Mount Sinai dhe dy nga kampuset e tij satelitore. Spitalet e tjera të prekura janë NewYork-Presbyterian dhe Qendra Mjekësore Montefiore në Bronx.

Rreth 15,000 infermierë janë të përfshirë në grevë, sipas Shoqatës së Infermierëve të Shtetit të Nju Jorkut.

Greva, e cila vjen gjatë një sezoni të ashpër gripi, mund t’i detyrojë spitalet të transferojnë pacientë, të anulojnë procedurat ose të devijojnë ambulancat. Gjithashtu, mund të ushtrojë një barrë mbi spitalet e qytetit që nuk janë të përfshira në mosmarrëveshjen për kontratën, pasi pacientët shmangin qendrat mjekësore të goditura nga greva.

Spitalet e përfshira kanë punësuar infermierë të përkohshëm, për të provuar të plotësojnë boshllëkun e fuqisë punëtore gjatë grevës, ku gjatë negociatave njoftuan në një deklaratë se do të "bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të minimizuar ndërprerjet". Montefiore postoi një mesazh, duke i siguruar pacientët se takimet do të mbahen.

Ndërprerja e punës po ndodh në disa spitale njëkohësisht, por secila qendër mjekësore po negocion me sindikatën në mënyrë të pavarur. Disa spitale të tjera në të gjithë qytetin dhe në periferitë e tij, arritën marrëveshje ditët e fundit për të shmangur një grevë të mundshme.

Kërkesat e infermierëve ndryshojnë në varësi të spitalit, por çështjet kryesore përfshijnë nivelet e personelit dhe sigurinë në vendin e punës. Sindikata thotë se spitalet u kanë dhënë infermierëve ngarkesa pune të papërballueshme.

Infermierët duan gjithashtu masa më të mira sigurie në vendin e punës, duke përmendur incidente si ai i javës së kaluar, kur një burrë me një objekt të mprehtë u ndalua në një dhomë spitali në Bruklin dhe më pas u vra nga policia.

Sindikata gjithashtu dëshiron kufizime në përdorimin e inteligjencës artificiale nga spitalet.

Spitalet jofitimprurëse të përfshira në negociata thonë se kanë punuar për të përmirësuar nivelet e personelit, por thonë se kërkesat e sindikatës në përgjithësi janë shumë të kushtueshme.

Infermierët votuan për të autorizuar grevën muajin e kaluar.

Si Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ashtu edhe kryebashkiaku Zohran Mamdani kishin shprehur shqetësim në lidhje me mundësinë e grevës. Ndërsa afati i grevës po afrohej, Mamdani u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdonin negociatat dhe të arrinin një marrëveshje, që "nderon infermierët tanë dhe i mban spitalet tona të hapura".

“Infermierët tanë e mbajtën këtë qytet gjallë në momentet e tij më të vështira. Vlera e tyre nuk është e negociueshme”, tha Mamdani.

Greva e fundit e madhe e infermierëve në qytet ndodhi vetëm tre vjet më parë, në vitin 2023. Ajo ndërprerje pune, në Mount Sinai dhe Montefiore, ishte e shkurtër, duke zgjatur tre ditë. Ajo rezultoi në një marrëveshje që rriti pagat me 19% gjatë tre viteve në ato spitale.

Kjo çoi gjithashtu në përmirësimet e premtuara të personelit, megjithëse sindikata dhe spitalet tani nuk bien dakord për sa i përket përparimit të bërë, ose nëse spitalet po tërhiqen nga garancitë e personelit./ AP.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco