Mes polarizimit në rritje, dezinformimit dhe pasigurive ekonomike, gjendja e demokracive përfaqësuese do të vihet në provë përmes zgjedhjeve në të gjitha kontinentet në vitin 2026.
Janë katër zgjedhje kyçe që ose do të forcojnë normat demokratike, ose rrezikojnë të dëmtojnë edhe më tej besimin te proceset e lira dhe të ndershme.
1. Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA: një referendum për Trump-in
Të planifikuara për me 3 nëntor, zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA do të fusin në lojë të gjitha 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.
Historikisht, partia që kontrollon Shtëpinë e Bardhë zakonisht humbet terren në zgjedhjet e mesit të mandatit. Kjo i bën zgjedhjet e vitit 2026 shumë të rëndësishme për presidentin Donald Trump. Sondazhet aktuale tregojnë se republikanët mund të humbasin kontrollin e Dhomës dhe ta shohin shumicën në Senat të reduktohet në vetëm dy ose tre vende.
Trump ka përfituar nga një Kongres i bindur për të miratuar ligje (si "big, beautiful bill"), për të konfirmuar emërimet e tij gjyqësore dhe për të shmangur mbikëqyrjen e zakonshme ndaj pushtetit ekzekutiv.
Nëse Trump humbet njërën ose të dyja dhomat, kjo ka të ngjarë të sjellë bllokim legjislativ. Dhe, nëse shërben si shembull mandati i tij i parë, një Dhomë e kontrolluar nga demokratët mund të krijojë probleme serioze për presidentin.
Më e rëndësishmja, zgjedhjet e mesit të mandatit në 2026 do të testojnë shpirtin demokratik amerikan dy vjet pas fillimit të mandatit të dytë të Trump-it. Me shqetësime të vazhdueshme për integritetin zgjedhor dhe prapakthimin demokratik, këto zgjedhje do të tregojnë nëse demokratët në Kongres kanë mundësi ta bëjnë më në fund Trump-in përgjegjës.
2. Brazili: rikthim te normaliteti?

Brazilianët do të votojnë më 4 tetor për të zgjedhur presidentin e ri, Kongresin Kombëtar dhe guvernatorët e ligjvënësit e shteteve. Presidenti aktual, 79-vjeçari Luiz Inácio Lula da Silva, po kërkon një mandat të katërt të paprecedentë.
Karriera politike e Lulës ka qenë plot ulje-ngritje. Në vitin 2017, ai u dënua për korrupsion dhe pastrim parash dhe filloi të vuante një dënim 12-vjeçar, gjë që e përjashtoi nga zgjedhjet e vitit 2018.
Lula u lirua në vitin 2019 dhe dënimi i tij u anulua dy vjet më vonë, duke i hapur rrugën rikthimit në pushtet pas një fitoreje të ngushtë ndaj presidentit të atëhershëm Jair Bolsonaro.
Mandati i tretë i Lulës nisi me një grusht shteti të dështuar në fillim të vitit 2023, të organizuar nga Bolsonaro dhe aleatët e tij. Bolsonaro tani është dënuar me 27 vjet burg për rolin e tij në këtë përpjekje.
Ndërkohë, vlerësimet për Lulën janë të përziera. Sondazhet e fundit tregojnë se vetëm një e treta e brazilianëve mendojnë se ai ka bërë një punë shumë të mirë, një e treta e konsiderojnë të dobët, ndërsa pjesa tjetër qëndron në mes.
Me djalin e madh të Jair Bolsonaros, Flavion, që ka konfirmuar synimin për të kandiduar, zgjedhjet do të testojnë nëse bolsonarizmi, lëvizja e djathtë e Jair Bolsonaros, mund të mbijetojë nën një udhëheqje të re.
Zgjedhjet do të tregojnë gjithashtu nëse Brazili mund të lërë pas polarizimin dhe paqëndrueshmërinë e viteve të fundit dhe të mbrojë demokracinë e tij.
3. Bangladeshi: një mundësi e madhe për brezin Z

Zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit në Bangladesh ofrojnë diçka që vendi nuk e ka parë prej më shumë se 15 vitesh: një mundësi reale që qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të marrin pjesë në një votim të lirë, të ndershëm dhe konkurrues.
Për aktivistët e brezit Z, të cilët ndihmuan në rrëzimin e qeverisë autoritare të kryeministres Sheikh Hasina në vitin 2024, ky moment është vendimtar.
Pas kryengritjes studentore që rrëzoi Hasinën, boshllëku i pushtetit u mbush nga një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus. Detyra e saj ishte rindërtimi i institucioneve të dobësuara nga sundimi njëpartiak.
Më shumë se një vit më vonë, administrata ka tentuar të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit, komisionit zgjedhor dhe medias, baza thelbësore për çdo tranzicion të besueshëm pushteti.
Udhëheqësit e rinj po përpiqen tani ta shfrytëzojnë këtë moment për të hyrë në sistemin politik përmes Partisë së re Kombëtare të Qytetarëve (NCP). Megjithatë, ata mbeten të kujdesshëm ndaj reformave pa garanci të forta ligjore.
Dalja e tyre në skenën politike sinjalizon një ndryshim të jashtëzakonshëm nga poshtë-lart në një vend ku gati 40% e popullsisë është nën 18 vjeç.
Ajo që do të ndodhë në shkurt do të ketë jehonë përtej Dakës. Një votim i besueshëm mund të forcojë normat demokratike dhe stabilitetin rajonal në Azinë Jugore. Një proces i kompromentuar rrezikon të shkatërrojë ringjalljen e udhëhequr nga të rinjtë që e bëri të mundur këtë zgjedhje.
4. Kebeku: shtysë e re për pavarësi?
Zgjedhjet e përgjithshme në Kebek, të planifikuara për me 5 tetor, paraqesin një sfidë tjetër demokratike. Këto zgjedhje lidhen ngushtë me identitetin dhe pyetjen e vazhdueshme të përkatësisë kombëtare brenda federatës kanadeze.
Ky votim vjen pas ligjeve të reja kontroverse të qeverisë aktuale, që detyrojnë përdorimin e gjuhës frënge dhe zgjerojnë sekularizmin shtetëror.
Këto çështje pritet të dominojnë fushatën dhe të sjellin pyetje thelbësore rreth sovranitetit të Kebekut.

Zgjedhjet e vitit 2026 pritet të jenë një betejë për zemrat e votuesve frankofonë, veçanërisht mes Koalicionit Avenir Québec (qendra e djathtë në pushtet), Partisë Liberale të Kebekut dhe Partisë Québécois (PQ), e cila po rikthehet fuqishëm.
PQ, që aktualisht kryeson në sondazhe, është hapur e angazhuar për mbajtjen e një referendumi të tretë për pavarësi.

Edhe pse mbështetja për pavarësinë nuk është ende shumicë, një mandat i fortë për PQ mund të ringjallë debatin për sovranitetin. Kjo do të sillte tensione të mëdha kushtetuese brenda Kanadasë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit. / The Conversation – Syri.net
© SYRI.net