Më shumë se 10 mijë persona janë arrestuar gjatë 15 ditëve të fundit në Iran, në kuadër të protestave masive anti-regjim që kanë përfshirë të gjithë vendin. Shifrat janë publikuar të dielën nga Skylar Thompson, zëvendësdrejtor i organizatës Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA).
“Të paktën 10,675 persona janë arrestuar, përfshirë 169 fëmijë,” deklaroi Thompson për CNN.
Sipas bilancit më të fundit të HRANA-s, të përditësuar të dielën, gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë të paktën 490 protestues.
Protestat e dhunshme në rrugët e Iranit kanë hyrë në javën e tretë dhe janë shtrirë në të 31 provincat e vendit, duke shënuar një nga valët më të gjera të kundërshtimit publik në vitet e fundit.
Si pasojë e situatës, autoritetet iraniane kanë ndërprerë aksesin në internet për të katërtën ditë radhazi, një masë që, sipas aktivistëve, synon të kufizojë komunikimin dhe raportimin e zhvillimeve nga terreni.
© SYRI.net