Tre skiatorë u vranë nga ortekët në Alpet Franceze të dielën, sipas mediave lokale, vetëm një ditë pasi tre të tjerë vdiqën në aksidente të ngjashme.
Në La Plagne, një burrë britanik rreth 50 vjeç u varros nën dëborë, sipas një deklarate nga vendpushimi.
Mediat franceze raportuan se në vendngjarje u angazhuan 52 punonjës shpëtimi, qen nuhatës dhe një helikopter, por u deshën 50 minuta për të gjetur burrin e bllokuar nën 2.5 metra dëborë, i cili nuk mundi të rikthehej në jetë.
Në Courchevel aty pranë, gjithashtu në Savoie, një person tjetër u varros nga një ortek dhe u gjet i vdekur në orët e vona të mëngjesit, thanë raportet.
E përditshmja rajonale Le Dauphiné libéré, raportoi gjithashtu për disa skiatorë dhe snowboardistë të lënduar në vendpushimet në Tignes dhe Orelle.
Një burrë 32-vjeçar vdiq gjithashtu në një ortek në Vallorcine pranë kufirit zviceran, sipas raportimeve të medias që citojnë policinë malore. Ai kishte qenë duke bërë ski jashtë pistës kur orteku e përplasi në një pemë. Ai më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra, raportuan mediat lokale.
Një ditë më parë, tre persona kishin vdekur nga ortekët në rajon.
Të dielën u raportuan më shumë ortekë në të gjithë Savoie, duke bërë që zyrtarët lokalë t'u bëjnë thirrje vendasve dhe turistëve të "jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm".
"Deri në orën 12:30 të pasdites, shërbimet e shpëtimit ishin vendosur tashmë në gjashtë ortekë në masive të ndryshme malore", shkroi prefekti i Savoie në Facebook.
Rreziku i ortekëve pritet të mbetet i lartë në të gjitha grupet malore në ditët në vijim, dhe zyrtarët lokalë po këshillojnë fuqimisht që të mos dalin nga pista.
Në shtetin austriak të Tirolit, tre persona u plagosën në tre ortekë të dielën, tha qendra e operacioneve të Tirolit. Një grua ishte në gjendje kritike, shtoi ajo.
Rreziku i avalancës në Tirolin perëndimor dhe në shtetin e Vorarlbergut pritet të mbetet i lartë në fillim të javës, sipas vlerësimeve të fundit. Në Alpet Allgäu në Bavari dhe në Zvicër, rreziku u ul nga i lartë në i konsiderueshëm./ DPA News.
© SYRI.net