Izraeli është në gatishmëri të lartë për mundësinë e një ndërhyrjeje amerikane në Iran, ndërsa autoritetet iraniane po përballen me protestat më të mëdha kundër qeverisë ndër vite, shkruan Reuters duke cituar tre burime izraelite që kanë dijeni për çështjen.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur ditët e fundit se mund të ndërhyjë dhe ka paralajmëruar drejtuesit e Iranit që të mos përdorin forcë kundër protestuesve. Të shtunën, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “të gatshme të ndihmojnë”.
Burimet, të cilat ishin të pranishme në konsultimet e sigurisë në Izrael gjatë fundjavës, nuk dhanë detaje se çfarë nënkupton në praktikë gjendja e gatishmërisë së lartë të Izraelit. Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore në qershor, gjatë së cilës Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në sulme ajrore.
Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e një ndërhyrjeje amerikane në Iran, sipas një burimi izraelit që ishte i pranishëm në bisedë. Një zyrtar amerikan konfirmoi se të dy kanë folur, por nuk specifikoi temat e diskutuara.
Izraeli nuk ka dhënë sinjale se dëshiron të ndërhyjë në Iran ndërsa protestat përfshijnë vendin, megjithëse tensionet mes dy armiqve të përbetuar mbeten të larta për shkak të shqetësimeve izraelite lidhur me programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit.
Në një intervistë për revistën The Economist, të publikuar të premten, Netanyahu deklaroi se do të kishte pasoja të tmerrshme për Iranin nëse ai do të sulmonte Izraelin. Duke iu referuar protestave, ai shtoi: “Për gjithçka tjetër, mendoj se duhet të shohim se çfarë po ndodh brenda Iranit.”/ Reuters - Syri.tv/
© SYRI.net