Autoritetet iraniane sinjalizuan sot se mund të ashpërsojnë goditjen ndaj protestave më të mëdha antiqeveritare të viteve të fundit. Garda Revolucionare fajësoi për trazirat “terroristët” dhe u zotua se do të mbrojë sistemin qeverisës.
Nga ana tjetër presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ditët e fundit ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje, shkroi sot në rrjetet sociale: “Irani po kërkon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA është gati të ndihmojë!!!”
Ndërkohë janë raportuar episode të reja dhune në mbarë Iranin, megjithëse bllokimi i internetit e bëri të vështirë për të përcaktuar shkallën e trazirave.
Gjatë mbrëmjes së sotme, video të reja të publikuara në internet tregojnë protesta të reja në disa lagje të kryeqytetit Teheran dhe në disa qytete të tjera, përfshirë Rashtin në veri, Tabrizin në veriperëndim, dhe Shirazin e Kermanin në jug. Reuters nuk arriti t’i verifikojë menjëherë pamjet më të fundit.
Djali në ekzil i shahut të fundit të Iranit, i cili është shfaqur si një zë i rëndësishëm në opozitën e fragmentuar, bëri thirrjen e tij më të fortë deri tani që protestat të shndërrohen në një revoltë për rrëzimin e sundimtarëve klerikë.
Mediat shtetërore njoftuan se një ndërtesë bashkiake u dogj në Karaj, në perëndim të Teheranit, dhe fajësuan protestuesit.
Televizioni shtetëror transmetoi pamje nga funeralet e pjesëtarëve të forcave të sigurisë, për të cilët tha se u vranë gjatë protestave në qytetet Shiraz, Qom dhe Hamedan.
Pamje të publikuara të premten në rrjetet sociale tregonin turma të mëdha të mbledhura në Teheran dhe zjarre të ndezura në rrugë. Në një video të verifikuar nga Reuters, që shfaq një protestë gjatë natës në lagjen Saadatabad të Teheranit, ku dëgjohet një burrë duke thënë se turma kishte marrë nën kontroll zonën.
“Turma po vjen!. ‘Vdekje diktatorit’, ‘Vdekje Khameneit’,” thotë ai, duke iu referuar Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, shkruan Reuters.
Vrasjet
Agjencia amerikane e lajmeve Human Rights Activists News Agency (HRANA), e konsideruar një burim i besueshëm për zhvillimet në Iran, pohon se numri i viktimave nga protestat në vend, ditët e fundit, ka shkuar në 65. Kjo vlerësohet si një shifër minimale, pasi HRANA llogarit vetëm viktimat e identifikuara.
Shumica e të vrarëve janë raportuar jashtë kryeqytetit Teheran, në provincat Chaharmahal dhe Bakhtiari, Ilam, Kermanshah dhe Fars. Sipas HRANA-s, janë arrestuar 2.311 persona.
Niveli i alarmit i vendosur nga “Udhëheqësi Suprem” Ali Khamenei, sipas disa zyrtarëve të Republikës Islamike që kanë folur për të përditshmen britanike Telegraph, është madje më i lartë se në qershor, kur vendi ishte në luftë me Izraelin.
Megjithatë, raportime të tjera janë edhe më dramatike. Për shembull, për revistën Time, një mjek flet për 217 protestues të vrarë vetëm në Teheran: shifra i referohet gjashtë spitaleve të kryeqytetit, të mbipopulluara me të plagosur dhe viktima që prej momentit kur autoritetet iraniane nisën shtypjen e protestave, duke hapur zjarr ndaj demonstruesve.
BE qëndron pranë popullit që kërkon liri
Ndërkohë dhe Bashkimi Europian ka shprehur mbështetje të hapur për protestuesit në Iran, duke u rreshtuar në krah të atyre që “po kërkojnë liri”. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “rrugët e Teheranit, ashtu si edhe qytetet në mbarë botën, po jehojnë nga hapat e grave dhe burrave iranianë që kërkojnë liri: lirinë për të folur, për t’u mbledhur, për të udhëtuar dhe mbi të gjitha për të jetuar të lirë”.
Duke dënuar ashpër shtypjen e dhunshme të protestave ajo theksoi se ata që po dhunojnë protestuesit “do të kujtohen në anën e gabuar të historisë”. Von der Leyen bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar, rikthimin e plotë të aksesit në internet dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke nënvizuar se Bashkimi Europian qëndron “plotësisht” në krah të popullit iranian.
Protestat janë përhapur në mbarë Iranin që prej 28 dhjetorit, fillimisht si reagim ndaj rritjes së fortë të inflacionit, për t’u shndërruar shpejt në protesta politike, me kërkesa për t’i dhënë fund sundimit klerikal. Autoritetet akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin se po nxisin trazirat.
© SYRI.net