Përleshje të dhunshme shpërthyen të mërkurën në disa zona të Iranit mes protestuesve kundër qeverisë dhe forcave të sigurisë, ndërsa vala e trazirave e nxitur nga kriza ekonomike e vendit vazhdoi për ditën e 11-të radhazi. Agjencia iraniane e lajmeve Fars, e afërt me Gardën Revolucionare, raportoi se dy policë u qëlluan për vdekje nga persona të armatosur në qytetin jugperëndimor Lordegan.
Video të publikuara në rrjetet sociale treguan një përballje të tensionuar mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, me zhurmën e të shtënave me armë në sfond. Në pamje të xhiruara në zona të tjera forcat e sigurisë duken duke qëlluar me armë zjarri dhe duke përdorur gaz lotsjellës ndaj turmave të protestuesve, disa prej të cilëve hedhin gurë.
Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, protestat janë përhapur deri tani në 111 qytete dhe qyteza në të gjitha 31 provincat e Iranit.
Agjencia raporton se të paktën 34 protestues dhe katër pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjatë trazirave, si dhe se 2,200 protestues janë arrestuar.
© SYRI.net