Nga Washington Examiner/
Rrallëherë një dokument politikash ka kaluar kaq shpejt nga publikimi te zbatimi sa Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2025 e presidentit Donald Trump. E publikuar më pak se një muaj më parë, ajo bën të qartë jo vetëm arsyet për ndërhyrjen e Trump-it në Venezuelë, por edhe për një mbrojtje aktive dhe të hapur të interesave amerikane në mbarë botën. Ata që pretendojnë se "Zgjatimi i Trump-it" ndaj Doktrinës Monroe sinjalizon një mendësi të re të "sferave të ndikimit" në Shtëpinë e Bardhë, që do të linte Tajvanin apo Ukrainën në dorë të Kinës dhe Rusisë, duhet të rilexojnë atë që administrata ka publikuar realisht.
"Doktrina Monroe është shumë e rëndësishme," tha Trump në konferencën e tij për shtyp të shtunën pas kapjes së diktatorit venezuelas Nicolás Maduro. "Por ne e kemi tejkaluar atë shumë," vazhdoi Trump me stilin e tij të zakonshëm. "Tani e quajnë 'Doktrina Donroe'."
Nuk është e qartë nëse termi "Doktrina Donroe" do të përhapet, por është padyshim më i thjeshtë se "Zgjatimi i Trump-ittë Doktrinës Monroe", i përmendur në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Sido që të quhet, edhe para se Trump të ndërmerrte aksionin vendimtar në Venezuelë, kritikët po e përdornin këtë term për ta akuzuar administratën Trump se kërkonte të tërhiqej në një mendësi të "sferave të ndikimit", që do t'i lejonte Kinës të dominonte Tajvanin dhe Rusisë të përfundonte pushtimin e Ukrainës.
Që në fillim, këto ishin lexime të gabuara të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Për Tajvanin, dokumenti thekson qartë rëndësinë ekonomike,"dominimin e Tajvanit në prodhimin e gjysmëpërçuesve", dhe ushtarake, ishulli "ndan Azinë Verilindore dhe Juglindore në dy teatro të veçantë", dhe premton të "ndërtojë një ushtri të aftë të pengojë agresionin kudo në Zinxhirin e Parë të Ishujve". Sa i përket Ukrainës, dokumenti e quan "ndërprerjen e shpejtë të armiqësive në Ukrainë" dhe "mbijetesën e saj si shtet funksional" një "interes thelbësor të Shteteve të Bashkuara". Ky nuk është një dokument që i thotë Tajvanit dhe Ukrainës të përballen vetë me rreziqet. Përkundrazi.
Në fakt, largimi i Maduros nga pushteti ishte një goditje e madhe për Kinën dhe Rusinë dhe një përfitim për Tajvanin dhe Ukrainën. Kështu e shohin edhe udhëheqësit e Tajvanit, sepse Trump veproi jo vetëm në kohën kur një delegacion kinez ndodhej në Karakas për të vizituar Maduron, por edhe sepse ushtria amerikane arriti të shmangë sistemet mbrojtëse kineze për ta kapur atë. Teknologjia ushtarake amerikane rezultoi më e fortë se sa pritej, fakt që vetëm sa mund të dekurajojë veprimet ushtarake kineze kundër Tajvanit.
Argumenti i senatorit Mark Warner (D-VA), se kapja e Maduros nga Trump legjitimon disi agresionin kinez dhe rus pranë kufijve të tyre, është po aq i pavend. Rusia ka shkelur sovranitetin e Ukrainës prej vitesh, shumë përpara se Trump të bëhej president. Nëse do të kishte mundur të kapte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, do ta kishte bërë tashmë. Por nuk mundet. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën dhe obsesionin e saj prej dekadash me Tajvanin. Ky synim ekziston shumë përpara Trump-it, ashtu si edhe taktikat e Kinës për ta kërcënuar ishullin.
Administrata Trump nuk ka dëshirë të pushtojë dhe të okupojë Venezuelën, ashtu siç dëshiron Kina të bëjë me Tajvanin dhe Rusia po bën me Ukrainën. Maduro ishte një diktator i paligjshëm që po vriste, përdhunonte dhe shtypte popullin e vendit të tij. Ajo që kërkon administrata Trump është një qeveri e qëndrueshme dhe legjitime, që të kontribuojë në rendin dhe prosperitetin e hemisferës sonë.
E kuptuar drejt, Doktrina Donroe nuk mbështet idenë e sferave të ndikimit, por kundërshton pasivitetin që paraqitet si vetëpërmbajtje. Ajo bën një dallim të qartë mes agresionit dhe zbatimit të përgjegjësisë, mes pushtimit dhe llogaridhënies. Kapja e Maduros nuk lidhej me ambicie territoriale, por me rivendosjen e rendit në hemisferën amerikane, duke dhënë njëkohësisht mesazhin se angazhimet e SHBA-së në vende të tjera mbeten të palëkundura. Tajvani dhe Ukraina nuk janë objekte pazari, por interesa strategjike të mbrojtura qartësisht në politikën amerikane. Larg nga nxitja e agresionit, veprimet e Trump-it tregojnë se fuqia amerikane, kur përdoret me vendosmëri dhe me kujdes, vazhdon të shërbejë si faktor parandalues. / Washington Examiner – Syri.net
© SYRI.net