Aldrich Ames, ish-oficer i CIA-s dhe një nga spiunët që i shkaktoi më shumë dëme sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Ai vdiq të hënën në Institucionin Federal Korrektues në Cumberland, Maryland, ku po vuante një dënim me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, raportoi CBS News, partneri mediatik i BBC-së në SHBA.
Ames u arrestua më 21 shkurt 1994 dhe u dënua më 28 prill të po atij viti, pasi pranoi se kishte shitur informacione sekrete Bashkimit Sovjetik dhe më pas Rusisë. Tradhtia e tij çoi në komprometimin e mbi 100 operacioneve klandestine dhe në zbulimin e identitetit të më shumë se 30 agjentëve perëndimorë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 aseteve të inteligjencës së CIA-s.
I shtyrë nga borxhet dhe nevoja për para, Ames pranoi se në prill të vitit 1985 kishte filluar t’i jepte KGB-së emrat e spiunëve të CIA-s, duke marrë një pagesë fillestare prej 50 mijë dollarësh. I njohur nga shërbimet sovjetike me emrin e koduar “Kolokol” (Zilja), ai mori rreth 2.5 milionë dollarë gjatë nëntë viteve të spiunazhit.
Paratë i mundësuan një jetë luksoze, përfshirë blerjen e një makine Jaguar, pushime të shtrenjta dhe një shtëpie me vlerë 540 mijë dollarë, pavarësisht se paga e tij vjetore nuk i kalonte 70 mijë dollarët.
Karriera e Ames në CIA zgjati 31 vjet dhe nisi në vitin 1962, me ndihmën e të atit, gjithashtu analist në agjenci. Ai shërbeu në disa poste të ndjeshme, përfshirë Turqinë dhe Meksikën, ndërsa më vonë u emërua edhe shef i kundërzbulimit sovjetik në CIA, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për problemet e tij me alkoolin.
Në vitin 1981, në Mexico City, ai njohu gruan e tij të dytë, Maria del Rosario Casas Dupuy, e cila më vonë u akuzua si bashkëpunëtore. Ajo u lirua pas pesë vitesh burg, pas një marrëveshjeje pranimi faji, ndërsa Ames bashkëpunoi me autoritetet amerikane.
Drejtori i CIA-s në atë kohë, R. James Woolsey, e përshkroi Amesin si “një tradhtar të keq të vendit të tij”, duke shtuar se agjentët humbën jetën sepse “një tradhtar vrasës donte një shtëpi më të madhe dhe një Jaguar”.
© SYRI.net