Studimi i Codacons (organizata italiane për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mjedisit) nxjerr në pah dallimet e thella mes Veriut dhe Jugut.
Milano konfirmohet edhe në vitin 2025 si qyteti me koston më të lartë të jetesës në Itali. Këtë e dëshmon studimi më i fundit i organizatës së konsumatorëve Codacons, i bazuar në të dhënat e Observatorit të Çmimeve të Ministrisë së Sipërmarrjeve dhe “Made in Italy” (MIMIT).
Analiza merr në shqyrtim një shportë përfaqësuese të përbërë nga produkte ushqimore, fruta dhe perime, si dhe një sërë shërbimesh të përditshme, përfshirë kujdesin dentar, parukerinë, pastrimin kimik dhe shërbimet për kafshët shtëpiake. Sipas studimit, në Milano shpenzimi total për këtë shportë arrin në 598,95 euro, ose 62,3% më shumë krahasuar me Napolin për të njëjtën përbërje mallrash dhe shërbimesh.
Pas Milanos renditet Aosta, me një faturë mesatare prej 586 euro, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Bolzano, me 574 euro. Të dhënat konfirmojnë edhe një herë se qytetet e Veriut janë dukshëm më të shtrenjta se ato të Jugut.
Napoli, qyteti më ekonomik
Në skajin tjetër të renditjes, Napoli rezulton qyteti më i lirë ndër 18 qytetet e mëdha të monitoruara, me një shpenzim total prej rreth 369 euro. Pasojnë Palermo me 408 euro dhe Catanzaro me 424 euro.
Nëse merret parasysh vetëm shpenzimi ushqimor, për blerjen e 28 produkteve bazë nga frutat dhe perimet te mishi, peshku, buka, makaronat dhe vaji, qyteti më ekonomik është Catanzaro, me rreth 165 euro, i ndjekur nga Napoli (168 euro) dhe Bari (172 euro). Qyteti më i shtrenjtë për ushqimet është Bolzano, ku shpenzimi arrin në 220 euro, ose 33,3% më shumë se në qytetin më të lirë.
Çmime dhe kuriozitete interesante
Studimi i Codacons nxjerr në pah edhe disa të dhëna interesante dhe shpesh surprizuese:
Sanduiçi më i lirë në bar gjendet në Ancona, me një çmim mesatar prej 2,67 euro, kundrejt një mesatareje kombëtare prej 3,80 euro. Në Milano, për të njëjtin produkt duhen 5,64 euro.
Mishi i viçit më i shtrenjtë shitet në Bologna, me një çmim mesatar prej 26,7 euro për kilogram.
Kungulleshkat më të shtrenjta gjenden në Genova, me 4,60 euro për kilogram.
Mbushja dentare varion nga 176 euro në Aosta (rekord kombëtar) deri në vetëm 70 euro në Napoli.
Larja e makinës kushton vetëm 8,5 euro në Ancona, ndërsa në Bolzano tejkalon 21 euro.
Kapuçinoja më e shtrenjtë pihet në Bolzano, me një çmim mesatar prej 2,29 euro.
Parukeria dhe argëtimi
Edhe në shërbimet e bukurisë, Napoli rezulton qyteti më ekonomik: një tharje dhe stilim flokësh kushton mesatarisht më pak se 13 euro, ndërsa në Bologna çmimi arrin në 23,5 euro. Po ashtu, prerja e flokëve për gra kushton më pak se 15 euro në Napoli, ndërsa çmimi më i lartë regjistrohet në Trieste, me rreth 30 euro.
Sa i përket argëtimit, Bari ofron biletën më të lirë të kinemasë, me një çmim mesatar prej 7,3 euro, ndërsa Genova rezulton më e shtrenjta, me 11,2 euro për një biletë.
Në mënyrë paradoksale, Milano rezulton qyteti më i lirë për shërbimin e larjes dhe hekurosjes së këmishave, me një çmim mesatar prej 2,89 euro, krahasuar me 5,3 euro në Catanzaro dhe Ancona.
Edhe kujdesi për kafshët shtëpiake ka kosto
Studimi përfshin edhe shpenzimet për kafshët shtëpiake: toelettatura e qenve është më e shtrenjtë në Aosta, me një kosto mesatare prej 49,6 euro, ndërsa mesatarja kombëtare qëndron në 34,6 euro.
© SYRI.net