Rëndohet bilanci i shpërthimit shpërthimit në një bar ku po festohej për Vitin e Ri në një resort luksoz të skijimit në Zvicër.
E përditshmja zvicerane Blick, duke cituar një burim në vendin e tragjedisë thotë se numri i të vdekurve ka arritur në 47 ndërsa të plagosurit arrijnë në 100. 15 rezultojnë të zhdukur.
Zjarri shpërtheu në orën 01:30 të mëngjesit, të 1 janarit 2026, sipas kohës lokale, në një bar të quajtur “Le Constellation” në resortin në jugperëndim të Zvicrës.
Zona është mbyllur plotësisht dhe mbi Crans-Montana është vendosur një zonë e ndalim-fluturimit, tha policia përmes një njoftimi.
Autoritetet zvicerane thanë se shkaku i shpërthimit mbetet i paqartë.
Hetimet
Hetimet tani janë përqendruar te lokali ku ndodhi tragjedia. Si është e mundur që flakët u përhapën kaq shpejt? A ishin masat e sigurisë të mjaftueshme? Një vështrim brenda ambienteve jep indiciet e para.
Lounge bar-i Le Constellation ishte një pikë takimi shumë e frekuentuar në këtë qendër skijimi të kantonit Valais: kafe gjatë ditës, bar dhe diskotekë gjatë natës, me kapacitet për rreth 300 persona. DJ-t performonin rregullisht dhe atmosfera festive tërhiqte kryesisht një publik ndërkombëtar. Sipas guidave turistike dhe vlerësimeve online, lokali konsiderohej një vend në modë dhe jetën e natës, një destinacion ideal për ta mbyllur mbrëmjen me stil.
Por pas fasadës luksoze dalin në pah mangësitë serioze në aspektin e sigurisë. Brenda tij ekzistonte vetëm një hyrje-dalje në katin e nëndheshëm, çka mund të ketë penguar ndjeshëm evakuimin në rast emergjence. Praktikisht, një kurth për klientët, shumë prej të cilëve humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë pësuan djegie të rënda. Për më tepër, ambienti ishte i mobiluar me shumë elemente druri, një faktor që sot, pas ngjarjes, duket veçanërisht kritik.
Le Constellation u themelua në vitin 2015 nga një çift francez me origjinë nga Korsika, i cili kishte marrë në dorëzim një ndërtesë të amortizuar dhe e kishte rinovuar plotësisht. Çifti menaxhon edhe disa restorante të tjera në rajon. Megjithatë, vlerësimet negative ndër vite kanë kritikuar shpesh shërbimin ndaj klientit, mungesën e profesionalizmit dhe, herë pas here, raportin e dobët cilësi–çmim.
Është gjithashtu befasuese që prania online e lokalit u zhduk pak pas tragjedisë: faqet e tij në Facebook dhe Instagram u mbyllën, ndërsa Google e shënoi lokalin si “përkohësisht i mbyllur”. Ende nuk është e qartë nëse këto veprime lidhen drejtpërdrejt me ngjarjen. Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten të panjohura, ndërsa policia kantonale e Valais po vijon hetimet.
Dëshmitë
Një dëshmitare: “Një kamerier hipi mbi shpatullat e një kamerieri tjetër duke mbajtur një qiri ditëlindjeje, i cili i vuri flakën tavanit”
Një nga dëshmitaret e tragjedisë në Crans-Montana tregoi për Bfm-TV: “Gjatë mbrëmjes, një kamerier u ngjit mbi shpatullat e një kamerieri tjetër. Ai mbante në dorë një qiri ditëlindjeje, i cili ishte shumë pranë tavanit dhe brenda pak minutash tavani mori flakë.”
Një tjetër grua rrëfeu: “Shkallët që çonin jashtë diskotekës ishin jashtëzakonisht të ngushta. U krijua një valë e madhe njerëzish. Ne arritëm të shpëtonim në momentin e fundit.”
© SYRI.net