Tajvani mbetet në gatishmëri të lartë pas stërvitjeve masive ushtarake që Kina zhvilloi rreth ishullit të martën, duke aktivizuar qendrat e emergjencës detare për të monitoruar lëvizjet e flotës kineze, njoftoi rojet bregdetare të Tajvanit.
Stërvitjet, të quajtura “Justice Mission 2025”, përfshinë lansimin e dhjetëra raketave drejt Tajvanit dhe vendosjen e një numri të madh anijesh dhe avionësh ushtarakë, në një shfaqje force që ka ngjallur shqetësim tek aleatët perëndimorë.
Autoritetet në Tajvan e kanë konsideruar këtë manovër si një kërcënim për sigurinë rajonale dhe një provokim të qartë. Pas ndërhyrjes së menjëhershme, situata detare është qetësuar, ndërsa të gjitha 11 anijet e rojes bregdetare kineze po largohen nga zonat pranë ishullit.
Në total, Kina kishte vendosur mbi 90 anije ushtarake dhe bregdetare në rajon, kryesisht në Detin e Kinës Jugore dhe Lindore, duke demonstruar kapacitetin e saj për një show masiv ushtarak.
Gjatë 24 orëve të fundit, Tajvani raportoi se 77 avionë ushtarakë dhe 25 anije të marinës dhe rojes bregdetare kineze operuan pranë ishullit, përfshirë edhe kalimin e 35 avionëve mbi vijën e mesit të ngushticës Tajvan-Kinë.
Ndërkohë, stërvitjet e Kines u zhvilluan pas shpalljes së paketës rekord të armëve prej 11.1 miliardë dollarësh nga SHBA për Tajvanin, duke rritur tensionet në rajon.
Stërvitjet përfshinë manovra për rrethim dhe kontroll, me qëllim të demonstrojnë aftësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit për të mbajtur larg forcat separatiste dhe ndërhyrjen e jashtme.
Ekspertët thonë se pavarësisht intensitetit të lartë të manovrave, Kina nuk ka gjasa të fillojë një luftë reale, pasi kjo do të ishte shumë e kushtueshme për reputacionin e saj. Tajvani, nga ana e tij, refuzon çdo pretendim territorial të Kinës dhe kërkon mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për sigurinë e tij.
© SYRI.net