Presidenti kulumbian Petro: SHBA bombarduan një fabrikë të dyshuar kokaine në Maracaibo, urdhri nga Trump

Presidenti kulumbian Petro: SHBA bombarduan një fabrikë të dyshuar kokaine në Maracaibo, urdhri nga Trump

08:50, 31/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar një fabrikë të dyshuar për prodhimin e kokainës në qytetin portual të Maracaibos, në perëndim të Venezuelës. Në një postim në rrjetin social X, Petro tha se, sipas informacioneve që disponon, sulmi ishte urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Ne e dimë që Trump bombardoi një fabrikë në Maracaibo. Kemi frikë se aty përzihej pasta e kokës për të prodhuar kokainë”, shkroi Petro.

Deklarata vjen pasi presidenti amerikan ka përmendur ditët e fundit një operacion të forcave amerikane në Venezuelë, pa dhënë detaje të sakta për vendndodhjen. Trump u tha gazetarëve se operacioni kishte ndodhur në “një plazh”, në një zonë me një skelë ku, sipas tij, ankoroheshin anije të ngarkuara me drogë.

Në një deklaratë të gjatë, Petro vlerësoi se objektivi i sulmit ishte një strukturë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), organizatë guerile kolumbiane. Sipas tij, ELN kontrollon pjesërisht prodhimin e kokainës në rajonin e Catatumbo-s, që kufizohet me Venezuelën dhe ndodhet pranë Maracaibos. “Është thjesht ELN. Me trafikimin dhe dogmatizmin e saj, ELN po lejon pushtimin e Venezuelës”, theksoi Petro.

Qeveria e Venezuelës nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj këtyre deklaratave. Ndërkohë, Uashingtoni ka ushtruar prej muajsh presion ndaj Karakasit, duke akuzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro se kryeson një rrjet të madh të trafikimit të drogës—akuza që Maduro i ka mohuar vazhdimisht.

Sipas autoriteteve amerikane, që nga fillimi i shtatorit, forcat e armatosura të SHBA-së kanë kryer rreth 30 sulme ajrore kundër anijeve të dyshuara për trafik droge, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 107 personave në rajonet e Karaibeve dhe Paqësorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco