Eksportet e gazit rus në Evropë përmes tubacioneve kanë rënë me 44 përqind këtë vit, duke shënuar nivelin më të ulët që nga mesi i viteve 1970. Rënia vjen pas mbylljes së rrugës së tranzitit përmes Ukrainës dhe vendimit të Bashkimit Evropian për të hequr gradualisht importet e lëndëve djegëse fosile nga Rusia.
Aktualisht, Turkish Stream mbetet e vetmja rrugë për tranzitin e gazit rus drejt Evropës. Përmes këtij tubacioni, përveç Turqisë, furnizohen edhe Serbia, Hungaria dhe Sllovakia.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se synon të ndalojë plotësisht importimin e gazit rus deri në fund të vitit 2027, me qëllim reduktimin e varësisë nga energjia ruse dhe parandalimin e përdorimit të këtyre të ardhurave për financimin e luftës në Ukrainë. Për dekada me radhë, Evropa ka qenë burimi kryesor i të ardhurave buxhetore të Rusisë nga nafta dhe gazi, të transportuara përmes tubacioneve të ndërtuara që në vitet 1960 dhe 1970.
Sipas të dhënave të Reuters, bazuar në statistikat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Gazit (ENTSOG), Gazprom furnizoi këtë vit vetëm 18 miliardë metra kub gaz në Evropë përmes tubacionit nënujor TurkStream. Ky volum përfaqëson nivelin më të ulët të eksporteve që nga fillimi i viteve 1970.
Për krahasim, eksportet e gazit rus në Evropë arritën kulmin në vitet 2018 dhe 2019, kur kapërcyen 175–180 miliardë metra kub në vit, duke i sjellë Gazpromit dhjetëra miliardë euro të ardhura. Sipas të dhënave historike të kompanisë, Bashkimi Sovjetik eksportoi 6.8 miliardë metra kub gaz në Evropë në vitin 1973, ndërsa në vitin 1975 kjo shifër u rrit në 19.3 miliardë metra kub.
Ndërkohë, dërgesat përmes Turkish Stream shënuan rritje mujore në fund të vitit. Vetëm në dhjetor, ato u rritën me 12.9 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, në rreth 56 milionë metra kub në ditë, dhe me tre përqind krahasuar me nëntorin.
Në total, eksportet e gazit në Evropë përmes Turkish Stream u rritën me rreth shtatë përqind gjatë këtij viti, duke arritur në 16.8 miliardë metra kub në vitin 2024. Së bashku me dërgesat përmes Ukrainës, eksportet vitin e kaluar arritën në 32 miliardë metra kub, ose 13 përqind më shumë se në vitin 2023.
Gazprom vazhdon të eksportojë rreth 20 miliardë metra kub gaz në vit në Turqi. Paralelisht, Rusia furnizon tregun evropian edhe me gaz të lëngshëm natyror (LNG) përmes cisternave dhe mbetet furnizuesi i dytë më i madh i Bashkimit Evropian, pas Shteteve të Bashkuara.
© SYRI.net