Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se vendi i tij kishte “goditur” një zonë në Venezuelë ku barkat ngarkohen me drogë.
Kjo do ta shënonte hereën e parë të ditur që Shtetet e Bashkuara kanë kryer operacione ndaj territorit tokësor në Venezuelë që nga fillimi i një fushate të presionit kundër qeverisë së presidentit Nicolas Maduro.
“Pati një shpërthim të madh në zonën e limanit, ku ata i ngarkojnë barkat me drogë” – tha Trumpi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“I goditëm të gjitha barkat dhe tani e goditëm zonën… është një zonë e zbatimit. Ai është vendi ku ata zbatojmë dhe ai nuk është më” – shtoi presidenti amerikan.
Nuk ishte e qartë se çfarë caku është goditur e as cila agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara ka vepruar në këtë rast.
Kur u pyet nëse sulmi është kryer nga CIA, Trumpi tha: “Nuk dua ta them këtë. Unë e di saktësisht se kush ishte, por nuk dua të them se kush ishte.”
Kreu i Shtëpisë së Bardhë në të kaluarën ka thënë se e ka autorizuar CIA-n (Agjencia Qendrore e Inteligjencës) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë.
Në një emission në radio javën e kaluar, Trumpi bëri komente të paqarta për një operacion kundër një “qendre të madhe” në Venezuelë.
CIA, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë dhënë publikisht hollësi për ato komente dhe kanë refuzuar që t’u përgjigjen pyetjeve të agjencisë “Reuters”.
Qeveria e Venezuelës nuk e ka komentuar incidentin që e përshkroi Trumpi dhe nuk ka pasur raporte të pavarura nga Venezuela për këtë rast.
Ministria e Komunikimit e Venezuelës, e cila i trajton të gjitha kërkesat nga mediat për Qeverinë, të hënën nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
© SYRI.net