Malajzia planifikon të vendosë rregulla më të rrepta për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 16 vjeç, pas një veprimi të ngjashëm dhe revolucionar në Australi.
Mediat sociale në Australi i kanë bërë shumë njerëz të pyesin veten nëse adoleshentët në mbarë botën duhet të fshijnë edhe Instagram, TikTok dhe YouTube nga telefonat e tyre.
Por ndryshe nga Canberra, Kuala Lumpur nuk po vendos një ndalim të përgjithshëm, por kontrolle më të rrepta të moshës dhe masa mbrojtëse teknike, të cilat fillimisht do të testohen në një fazë prove, thonë raportet.
Komisioni Malajzian i Komunikimeve dhe Multimedias (MCMC) dhe operatorë të zgjedhur të rrjeteve sociale, po testojnë një program që nga 1 janari.
Ata po testojnë mjete të reja për verifikimin e moshës dhe mbrojtjen e të miturve në një mjedis të mbrojtur, përpara se t'i lançojnë ato në mënyrë detyruese.
Por sa mirë funksionojnë masat?
Ministri i Komunikacionit, Fahmi Fadzil tha se qëllimi ishte mbrojtja më e mirë e fëmijëve nga rreziqet në internet, ndërkohë që zhvilloheshin zgjidhje praktike për platformat. Masat duhet të jenë efektive dhe të mos anashkalohen lehtë, tha ai.
Faza e testimit synon t'i japë qeverisë dhe kompanive, kohë për të identifikuar dobësitë dhe për të bërë përmirësime.
Malajzia po mbështetet në përvojat e vendeve të tjera si Australia dhe Danimarka, por kërkon t'i përshtatë rregullat me rrethanat e saj kombëtare.
Australia, një pioniere globale
Australia kohët e fundit bëri histori në aspektin e mbrojtjes digjitale të fëmijëve. Fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 16 vjeç mund të mos kenë më llogaritë e tyre në shumë platforma kryesore të mediave sociale. Shërbime të shumta janë prekur, duke përfshirë Instagram, Tiktok, Snapchat, Facebook dhe YouTube.
Rregulli synon të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që lidhen me përdorimin e mediave sociale, të tilla si koha e tepërt para ekranit, ngacmimi kibernetik dhe konsumimi i përmbajtjes që mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin mendor dhe në fund të fundit fizik.
Megjithatë, raportet sugjerojnë se shumë adoleshentë australianë ende po arrijnë ta anashkalojnë ndalimin./ DPA News.
© SYRI.net