Vladimir Putin është shfaqur sërish me uniformë ushtarake kur vizitoi një pozicion të forcave ruse dhe më pas u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, si edhe me komandantët e grupeve të ndryshme luftarake.
Presidentit rus i është raportuar për pushtimin e Huliaipoles, në rajonin e Zaporizhzhias, hap që “hap perspektiva pozitive për një ofensivë”, si edhe të Dimitrovit, në Donetsk, që “krijon kushte të favorshme për përparime të mëtejshme në rajon”.
Putin ka pohuar se krijimi i një zone përgjatë kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës po ecën mirë dhe se forcat ruse po avancojnë si në Donbas, ashtu edhe më në jug, në rajonin e Zaporizhzhias, “përgjatë gjithë vijës së frontit”. Sipas tij, krijimi i kësaj zone po ecën mirë edhe në rajonet Sumy, Kharkiv dhe Dnipropetrovsk.
Ndërkohë Kievi përgënjeshtroi Moskën duke i quajtur të rreme lajmet për pushtimin e dy qyteteve ukrainase.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se raportimet e Federatës Ruse nuk janë të vërteta, shkruan Ukrainska Pravda.
“Shtresat e larta politike të shtetit agresor po i rikthehen edhe një herë përhapjes së deklaratave të rreme mbi ‘suksese të mëdha’ të ushtrisë ruse në fushëbetejë.
Në realitet, raportimet e Kremlinit për pushtimin e qyteteve nuk mbështeten nga faktet”.
Sipas forcave të armatosura të Kievit, situata në Huliaipoles është “e vështirë, por mbrojtja jonë po reziston dhe ushtarët tanë po vazhdojnë veprimet aktive për asgjësimin e grupeve të këmbësorisë së pushtuesve brenda qytetit”.
© SYRI.net