Në Ukrainë nisin hetime për një skemë blerjeje votash nga deputetët

Në Ukrainë nisin hetime për një skemë blerjeje votash nga deputetët

16:13, 27/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Agjencitë kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë thanë se po hetojnë akuza për blerje votash nga anëtarë të parlamentit dhe se shërbimet e sigurisë po pengonin përpjekjet për të kryer kontrolle.

Hetimi, i lajmëruar më 27 dhjetor, ishte më i fundit në një seri hetimesh nga dy agjencitë — Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës — që kanë tronditur politikën e brendshme në Ukrainë.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit — e njohur si SAPO — tha se hetuesit e saj kishin identifikuar me dyshim “një grup kriminal të organizuar” që përfshinte deputetë aktualë në Verhovna Rada, parlamentin ukrainas.

Anëtarët e grupit, sipas SAPO-s, kanë marrë përfitime të paligjshme në këmbim të votave të tyre në parlament.

Por, detaje të mëtejshme mbi këto akuza nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit, e njohur si NABU, tha se hetuesit e saj po pengoheshin teksa tentonin të hynin në ndërtesat administrative të përdorura nga deputetët.

Agjencia e ngarkuar me sigurimin e deputetëve, Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, i mohoi akuzat, duke i thënë shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se rojet thjesht po verifikonin identitetin e hetuesve.

“Fakti është se punonjësit e NABU-s po përpiqen të sjellin persona të panjohur ose të pakuptueshëm në territorin e regjimit, në territorin e institucionit shtetëror”, tha zëdhënësi i shërbimit, Oleksiy Morozov.

Të themeluara në vitin 2015 si pjesë e reformave gjithëpërfshirëse që synonin çrrënjosjen e korrupsionit të rrënjosur prej kohësh, të dyja agjencitë kanë ndërtuar reputacion për kryerjen e hetimeve politikisht të ndjeshme, si dhe për luftën për të ruajtur pavarësinë e tyre nga entitete të tjera të zbatimit të ligjit.

Një hetim mbi ryshfete në sektorin e energjisë — përfshirë financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për infrastrukturën e rrjetit elektrik — doli në pah publikisht muajin e kaluar, kur zyrtarët kundër korrupsionit bastisën zyra në Kiev. /REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco