Operacion i gjerë në Itali kundër financimit të organizatës terroriste HAMAS

Operacion i gjerë në Itali kundër financimit të organizatës terroriste HAMAS

10:18, 27/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Prokurori Kombëtar Antimafia dhe Antiterrorizëm, në bashkëpunim me Prokurorin e Republikës së Xhenovës, njoftuan sot rezultatet e një operacioni të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar për përkatësi dhe financim të organizatës terroriste HAMAS.

Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria Rajonale Antimafia dhe Antiterrorizëm e Xhenovës, është zhvilluar me mbështetjen e forcave të rendit italiane, përfshirë DIGOS, Policia Financiare dhe Njësia e Policisë për Parandalimin e Krimit Financiar.

Në ekzekutimin e një urdhri të posaçëm të Gjyqtarit për Hetimet Paraprake të Xhenovës, janë vendosur masa sigurie ndaj nëntë personave, të gjithë të arrestuar, si dhe masa pasurore ndaj tre organizimeve, me një vlerë që kalon tetë milionë euro.

Të dyshuarit akuzohen për vepra të parashikuara nga neni 270-bis i Kodit Penal italian, pjesëmarrje dhe financim të organizatave me qëllime terroriste.

Sipas hetimeve paraprake, personat nën hetim ishin pjesë në një rrjet ndërkombëtar që mbështet financiarisht HAMAS, organizatë e cilësuar terroriste nga Bashkimi Evropian, si në krahun e saj politik ashtu edhe në atë ushtarak.

Hetimet kanë zbuluar një sërë transaksionesh financiare që arrijnë në rreth 7 milionë euro, të kryera përmes organizime me bazë në Itali dhe jashtë saj,  përfshirë në Holandë, Francë dhe Austri,  dhe të destinuara për subjekte të lidhura me HAMAS në Gaza dhe territoret palestineze.

Tre organizata bamirëse italiane janë identifikuar si instrumente për transferimin e fondeve:

•    Associazione Benefica di Solidarietà col Popolo Palestinese (A.B.S.P.P.), e themeluar në Gjenovë më 1994;

•    A.B.S.P.P. O.D.V., themeluar në 2003;

•   Associazione Benefica “La Cupola d’Oro”, me qendër në Milano, themeluar në dhjetor 2023.

Sipas prokurorisë, mbi 71% e fondeve të mbledhura me qëllime deklarativisht humanitare janë përdorur në veprimtari që lidhen drejtpërdrejt me financimin e HAMAS ose degëve të saj.

Në qendër të hetimeve qëndron Mohammad Mahmoud Ahmad Hannoun, i identifikuar si drejtues i celulës italiane të HAMAS dhe përfaqësues ligjor i shoqatës A.B.S.P.P. që prej vitit 2001. Sipas akuzës, ai akuzohet për drejtim të aktiviteteve të financimit dhe për lidhje me anëtarë të rëndësishëm të organizatës në Gaza, përfshirë Osama Alisawi, ish-ministër në qeverinë de facto të HAMAS në Gaza.

Përveç tij, në hetim janë përfshirë edhe shtetas të tjerë palestinezë të vendosur në Itali e jashtë saj, që sipas organit të akuzës përbënin një “celulë të përhershme” të organizatës, të përfshirë në grumbullim fondesh dhe promovim të propagandës së HAMAS në Evropë.

Rrjeti ndërkombëtar dhe provat

Hetimi është zhvilluar me kontributin e autoriteteve ligjzbatuese të vendeve të tjera evropiane dhe me asistencën e Eurojust.

Autoritetet italiane kanë njoftuar se kanë përfituar dokumente dhe prova të ofruara nga shteti i Izraelit në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, përfshirë dosje dhe mesazhe të gjetura në serverët e shoqatës në Xhenova.

Prokuroria theksoi se hetimet kanë provuar ekzistencën e një strukture të mirëorganizuar të HAMAS-it jashtë Lindjes së Mesme, që synon grumbullimin e fondeve dhe promovimin e aktivitetit të saj në Evropë – ndër to edhe përmes shoqatave me pamje humanitare.

Prokurori Kombëtar i Antimafia dhe Antiterrorizmit italian Giovanni Melillo dhe Prokurori i Republikës së Xhenovës Nicola Piacente janë shprehur se “pavarësisht nga konteksti i konfliktit izraelito-palestinez, asnjë arsye politike apo ushtarake nuk mund të justifikojë aktet e terrorizmit ndaj civilëve, duke i cilësuar këto veprime si krime të rënda kundër njerëzimit”.

Emrat e të tjerëve. HANNOUN Mohammad Mahmoud Ahmad, anëtar i sektorit të jashtëm të organizatës terroriste HAMAS, anëtar i bordit të drejtorëve të European Palestinians Conference, figurë drejtuese e qelizës italiane të organizatës HAMAS, në cilësinë e tij si përfaqësues ligjor i A.B.S.P.P. nga 21.9.2001 deri më 20.3.2018 dhe, në vitet pasuese, si administrator de facto i organizimit; si përfaqësues ligjor i A.B.S.P.P. O.D.V. që nga themelimi i saj në vitin 2003; si administrator de facto i Benefica La Cupola d’Oro, si dhe i Benefica La Palma, të themeluara me qëllim vazhdimin e aktivitetit të financimit pavarësisht masave të marra nga sistemi financiar për t’u penguar të dyshuarve financimin e veprimtarive terroriste, dyshohet:

•             se është një komponent i nivelit të lartë i organizatës terroriste HAMAS;

•             se, në mbledhjen e fondeve të paraqitura si me qëllime humanitare për popullsinë palestineze, ka destinuar një pjesë të konsiderueshme (më shumë se 71%) të këtyre fondeve për financimin e drejtpërdrejtë të HAMAS ose të shoqatave të lidhura me të ose të kontrolluara prej saj, si dhe të strukturave të tjera të organizatës terroriste në fjalë;

•             se ka kontribuar kështu, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në derdhjen e shumave të mëdha parash drejt organizatës terroriste, duke filluar nga 18 tetori 2001 e deri në ditët e sotme, veçanërisht pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, në vlerën € 7.288.248,15, duke i devijuar këto fonde nga qëllimet e deklaruara dhe nga nevojat reale të popullsisë civile të Gazës.

DAWOUD Ra’Ed Hussny Mousa, anëtar i sektorit të jashtëm të organizatës terroriste HAMAS, referent së bashku me HANNOUN i qelizës italiane, i punësuar që nga 1.8.2016 në A.B.S.P.P. O.D.V., përgjegjës së bashku me ELASALY YASER i degës milaneze të A.B.S.P.P.

AL SALAHAT RAED, anëtar i sektorit të jashtëm të organizatës terroriste dhe, që nga maji 2023, anëtar i bordit të drejtorëve të European Palestinians Conference, brenda së cilës vepron në bashkëpunim të ngushtë me MAJED AL ZEER; AL SALAHAT RAED është anëtar i qelizës italiane të HAMAS, i punësuar në A.B.S.P.P. nga korriku 2011 deri në shtator 2019 dhe, që nga korriku 2024, referent për Firencen dhe Toskanën;

ELASALY YASER, anëtar i sektorit të jashtëm të organizatës terroriste HAMAS, anëtar i qelizës italiane, i punësuar që nga 5.2.2016 në A.B.S.P.P. O.D.V., përgjegjës së bashku me DAWOUD Ra’Ed Hussny Mousa i degës milaneze të A.B.S.P.P.;

ALBUSTANJI RIYAD ABDELRAHIM JABER, si anëtar i sektorit të jashtëm të organizatës terroriste HAMAS, anëtar i qelizës italiane, i punësuar që nga 1.2.2015 në A.B.S.P.P. O.D.V., me të cilën bashkëpunon aktivisht duke promovuar mbledhjen e parave gjatë takimeve propagandistike;

OSAMA ALISAWI, anëtar i HAMAS, i cili ka qenë Ministër i Transporteve i qeverisë de facto në Gaza, President i Bllokut Islamik të Unionit të Inxhinierëve, anëtar i Këshillit të Unionit të Inxhinierëve, bashkëthemelues në vitin 1994 i A.B.S.P.P., i deleguar për të vepruar, nga viti 2001 deri në 2009, në llogaritë bankare të organizimit nr. 8542 dhe 9300.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco