Nga Gonne Garling, BILD
Çfarë ndodh nëse në Gjermani do të nisë një proces për ndalimin e partisë AfD?
Eksperti i sigurisë, profesori Peter Neumann, parashikon pasoja të rënda për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-ve. Sanksionet, sipas tij, do të ishin pothuajse të sigurta!
Neumann është i bindur se administrata e SHBA, nën Donald Trump, jo vetëm që do ta ndiqte me shumë vëmendje një procedurë të tillë – por qeveria aktuale amerikane, në një situatë të tillë, madje do të vendoste sanksione kundër Gjermanisë.
Në emisionin e Markus Lanz në ZDF, Neumann (profesor i studimeve të sigurisë në King’s College në Londër) vuri fillimisht në dukje varësinë e Gjermanisë dhe BE-së në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.
Sipas tij, SHBA është e gatshme “t’i shfrytëzojë këto varësi për të promovuar njerëzit e saj, pra AfD-në në Gjermani ose parti të ngjashme në shtete të tjera evropiane”, tha Neumann.
Dhe më tej: në Uashington janë gjithashtu të gatshëm “të ndëshkojnë një qeveri, nëse, sipas administratës së Trump, ajo ua pengon rrugën këtyre partive”, paralajmëroi Neumann.
Në “arsenalin” e administratës Trump janë sanksione kundër personave të përfshirë në procedurën e ndalimit, madje edhe kundër të gjithë shtetit.
Sipas Neumann, logjika pas kësaj është e tillë: “Ju nuk jeni të sjellshëm me opozitën që ne e mbështesim aktivisht (pra AfD-në). Atëherë ne mund të veprojmë kështu…”
I pyetur nga Markus Lanz nëse në Shtëpinë e Bardhë ka tashmë plane konkrete, Neumann iu referua dokumentit të ri të sigurisë së Trump. Me këtë strategji të re, “nuk mund të përjashtohet më asgjë”. Madje e përshkroi atë si një “deklaratë divorci”. Neumann shtoi: “Kam përshtypjen se Amerika dëshiron të braktisë marrëdhënien transatlantike…”
Të njëjtin qëndrim mbajti ai edhe në podcast-in e BILD-it me kryeredaktorin Paul Ronzheimer. Sipas tij, nëse “një ditë do të vijmë tek procedura për ndalimin e AfD-së”, atëherë “Amerika mund të reagojë shumë ashpër, ndoshta edhe me sanksione”. Po ashtu është e mundur që SHBA të tentojë të pengojë masat shtetërore në Gjermani me kërcënime: “Nëse ju veproni kundër AfD-së, atëherë Amerika vendos sanksione ose rrit tarifat doganore”.
Edhe kompanitë amerikane të teknologjisë mund të ndërhyjnë, jo vetëm financiarisht. E mundshme është, sipas Neumann, “që Elon Musk ose platforma të tjera amerikane të manipulojnë algoritmet në mënyrë që të favorizohet AfD… nëse kjo nuk po ndodh tashmë”.
© SYRI.net