Ndërsa Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky shkëmbejnë akuza nga larg për fatin e Donbasit, Vladimir Putin paraqitet më i sigurt se kurrë. I lidhur me videokonferencë me komandat e tij ushtarake që drejtojnë ofensivën në Ukrainë, ai deklaron se “iniciativa strategjike është plotësisht në duart e forcave të armatosura ruse” dhe se avancimi në Donetsk, Lugansk, Zaporizhia dhe Kherson “po zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme”.
Mesazh i qartë edhe për Ukrainën: Moska po merr me forcë atë që nuk po arrihet dot me negociata. Në terren situata është më e ndërlikuar, por Putin mbërrin në forumin e Ashgabatit në një pozitë të favorshme, teksa sot pritet të takojë presidentin turk Erdogan dhe atë iranian Pezeshkian. Kjo pozitë përforcohet edhe nga presioni që, sipas Kievit, SHBA-të po i bën Zelensky-t që ushtria ukrainase të tërhiqet pa kushte nga i gjithë Donbasi.
“Çdo kompromis që përfshin dorëzime territoriale duhet të vendoset nga vota e popullit, përmes zgjedhjeve apo referendumit”, kundërpërgjigjet Zelensky nga Kievi. Ai shton se Uashingtoni po shtyn për krijimin e një “zone të lirë ekonomike” në pjesën e Donbasit që ende nuk kontrollohet nga Rusia, ndërsa Kremlini e quan atë territor, që përfshin Kramatorskun dhe Slovianskun, “zonë të çmilitarizuar”.
Por ideja e një konsultimi popullor ndez menjëherë reagimet nga Moska. Dmitri Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë ruse, e sulmon Zelenskyn në X, duke shkruar se “klouni i Kievit po kërkon vetëm të vonojë negociatat” dhe se kështu “i tregon gishtin e mesit SHBA-ve”.
Zelensky zbulon gjithashtu se në draftin e fundit të planit të paqes amerikan ka rikthyer një kufi për përmasën e ushtrisë ukrainase, 800 mijë ushtarë, dhe se sipas SHBA-ve armëpushimi mund të shpallet vetëm pas një marrëveshjeje finale, dhe jo paraprakisht siç kërkon Kievi.
Edhe Rusia ka dorëzuar propozime të reja, duke këmbëngulur për “garanci të sigurisë kolektive” që shtrihen përtej konfliktit në Ukrainë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se me Uashingtonin “janë eliminuar keqkuptimet” dhe janë konfirmuar marrëveshjet e arritura në Alaskë. Por për vendet evropiane ai përdor tone shumë më të ashpra, duke i akuzuar se po përpiqen “të futen në tryezën e negociatave me ide të padobishme”. Lavrov paralajmëron gjithashtu ashpër vendet e Koalicionit të të Vullnetshmëve, të gatshëm të dërgojnë trupa si garante: “Nëse i dërgojnë në Ukrainë si ‘paqeruajtës’, do të bëhen objektiva legjitimë”.
Sa i përket Zelensky-t, Lavrov thotë se ai po zgjat konfliktin “për mbijetesë politike, ndoshta edhe fizike”. Nga ana tjetër, Kremlini ngul këmbë se Ukraina duhet të mbajë zgjedhje, jo nga dëshira për demokraci, por për shkak se Putin e konsideron Zelensky-n të pavlefshëm, pasi mandati i tij ka skaduar në maj 2024. Ligji i luftës ka penguar deri tani çdo proces elektoral.
© SYRI.net