Friedrich Merz foli sot për bisedën e djeshme me Donald Trump, duke thënë se kishte mundësinë së bashku me Emmanuel Macron dhe Keir Starmer, të informonin presidentin amerikan për propozimin evropian dhe koncesionet territoriale që Ukraina është e gatshme të bëjë për të përfunduar luftën me Rusinë.
Sipas tij, propozimi lidhet kryesisht me pyetjen se çfarë koncesionesh territoriale është e gatshme të bëjë Ukraina.
Megjithatë, ai paralajmëroi se përfundimisht “presidenti ukrainas dhe populli ukrainas janë ata që duhet të japin përgjigje për këtë pyetje”, deklaroi Merz.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Merz theksoi se “do të ishte gabim që presidenti ukrainas të detyrohej të pranojë një paqe që populli i tij nuk do ta pranonte, pas katër vitesh vuajtje dhe vdekjesh”.
Të mërkurën, Trump shprehu zhgënjimin e tij për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë. Presidenti amerikan tha se “ndërmjet tyre pati fjalë të forta” gjatë bisedës telefonike me Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Merz njoftoi se janë planifikuar bisedime të mëtejshme me amerikanët këtë fundjavë dhe se një takim ndërkombëtar për Ukrainën “mund të zhvillohet në fillim të javës tjetër.”
“Nëse qeveria amerikane do të marrë pjesë varet shumë nga draftet e përbashkëta të dokumenteve që aktualisht po punohen”, shtoi ai.
Kancelari gjerman theksoi se biseda e tij me Trump të mërkurën “lanë përshtypjen e fortë se ai është i gatshëm të ndjekë këtë rrugë me ne, sepse e kupton se evropianët dhe interesat e tyre duhet të dëgjohen”, theksoi ai.
© SYRI.net